900 ha tokë në Shkodër nën ujë, Ademi: Të shpallet emergjenca

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka kërkuar shpalljen e emergjencës në Dajç dhe Anën e Malit për shkak të përmbytjeve të ditëve të fundit. Sipas njoftimit të emergjencave nga kjo bashki, në rrugët e fshatit Obot, sasia e ujit i kalon 50 cm për shkak të shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin.
Bashkia thekson se për shkak të shkarkimeve të HEC-ve zonat e përmbytura janë: Muriqan – 350 ha, Oblikë – 280 ha, Obot – 270 ha. Në total – 900 ha. Nga sipërfaqja e mësipërme, sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 630 ha, ndërsa sipërfaqe e pakultivuar 270 ha, të shpërndara si më poshtë:
Jonxhë 500 ha, kultura të dyta foragjere 100 ha, grurë 5 ha, sera 2 ha, bimë dekorative 20 ha, vreshtë 1 ha, ullishtë 2 ha.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, rezulton se “lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë patur tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Sot (e martë, dt.06) dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 mars 2018 rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 mars 2018”.

Përmbytjet në Shkodër nga shkarkimi i HEC-ve
Deri në 1300 metër/kub për sekondë shkon totali i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vau Dejësit, ku vetëm nga portat anësore shkarkohen 800 metër/kub. Efekti i tyre nuk ka vonuar të jepet në nënShkoder, ku zona më e prekur me rreth 1 mijë hektarë tokë nën ujë rezulton Ana e Malit. Sipërfaqe që krahasuar me një ditë më parë është zgjeruar.
Në zonë për të biseduar me banorët mbi dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore dhe vështirësitë që krijon vërshimi i ujit, ishte vetë kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi.
Ajo zgjodhi që nga Oboti t’i përgjigjet Koorporatës Elektro Energjitike Shqiptare mbi arsyet e përmbytjeve në këtë njësi, që siç tha ajo vijnë vetëm nga shkarkimet e jo nga reshjet apo bllokimet e kanaleve kulluese.
Ajo u kërkoi deputetëve shkodranë të të gjitha forcave politike të reagojnë dhe qeverisë sëbashku me KESH, të veprojnë me nënShkodrën përmes një ligji të veçantë, si për rentën minerare.
Banorët gjithashtu duke treguar për dëmet, kërkojnë që KESH t’i kompensojë si shkaktari i vetëm i kësaj situate.
Me prezencë uji janë fshatrat Obot, Goricë, Muriqan në Anë të Malit, fshati Trush në Bërdicë dhe Mushani në Dajç.

Reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës kanë dhënë efektin e tyre, pasi të tre HEC-et e kaskadës së Drinit po shkarkojnë, Fierza me 200 metër/kub dhe Komani 600 metër/kub për sekondë.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë do të kenë prurje të larta në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Ditën e djeshme dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 mars 2018 në basenin Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë rritja e prurjeve dhe e niveleve. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e nënShkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 mars 2018.

Exit mobile version