Zjarrfikësit e Uzinës së Ballshit kanë protestuar sërish dje në lidhje me mosdhënien e pagave të tyre që prej muajit janar. Ata shprehen se u gënjyen në videokonferencë nga ana e ministrit Damian Gjiknuri dhe se zgjidhja e vetme mbetet lufta civile me qeverinë.
“Që prej janarit nuk kemi marrë asnjë rrogë. Na kanë varrosur për së gjalli të gjithëve ne si krahinë, nuk na është zgjidhur asgjë nga ato që na premtoi pak kohë më parë Damian Gjiknuri në një videokonferencë.
Na ka shkuar atje ku nuk mban më, nuk kemi para që të paguajmë ujë dhe drita. Na mbetet që të shpallim një luftë civile, o qeveria, o ne”, shprehen zjarrfikësit. Reparti i zjarrfikësve është një nga më të rëndësishmit për shkak se mundësia e një zjarri apo defekti përbën rrezik për të gjithë vendin. Në shenjë simbolike protestuesit kanë nxjerrë një qese me bar, ku shprehen se kjo ju ka mbetur që të hanë tashmë.
Soko: Askush nga tatimorët nuk lëvizi gishtin
I ftuar në “Fax News”, Pano Soko, njohës i problematikave të sektorit të naftës u shpreh se, Reparti i Zjarrfikësve është një nga më të rëndësishmit në uzinë, pasi ka të bëjë me sigurinë e jetëve të njerëzve. Sipas tij, zgjidhja e vetme për të dalë nga ngërçi mbetet shtetëzimi i ARMO-s dhe rifillimi i punës. Sipas tij, inspektorët tatimorë nuk e kanë marrë mundimin për të grumbulluar borxhet e kompanive të naftës, ndërsa tregohen të pamëshirshëm me bizneset e vogla.
“Reparti i Zjarrfikësve është një repart i gatishmërisë së lartë, pasi përtej çdo mosfunksionimi nga ana e financave, roli i tyre është të mbrojnë jetën e njerëzve. Ata janë futur mes dy zjarreve në një anë kanë misionin e mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe nga ana tjetër ata kanë të drejtë që të paguhen për punën që bëjnë”, u shpreh Soko.
Ndërkohë, duke iu referuar kompanive private që e kanë pasur në shfrytëzim Armon, Soko u shpreh se skema e tyre ka qenë abuzive. Sipas tij, Taçi Oil e mori në shfrytëzim uzinën vetëm për të pasur si kolateral për marrjen e kredive nga ana e bankave dhe më pas i ka lënë miliona euro borxh tatimeve dhe shtetit.
“Në planin e vet të biznesit Taçi Oil nuk e kishte në planin e biznesit që të nxirrte naftë dhe që të eksportonte, por që këtë pasuri ta vendoste si kolateral, në mënyrë që të merrte kredi në katër pesë banka kryesore të vendit. Tashmë ky aset ishte i bankave.
Këtë bëri zoti Taçi, grumbulloi borxhe, dhe në 2013 kur vjen qeveria e re filloi i njëjti avaz. Tashmë kaluan borxhet nga sektori privat në sektorin shtetëror, borxhet iu morën tatimeve, pra na u morën ne. Kjo është e gjitha një histori mashtrimi, mashtrim i pastër. Sot, aktualisht ka një stok borxhi që shkon një një shifër në miliona euro.
Vazhdonte puna, vazhdonte që të mos paguheshin taksat, madje nuk paguheshin as furnitorët. U toksikua totalisht situata. Ne shohim ditë pas dite sesi kryeministri përpiqet që të na kujtojë luftën ndaj revizorëve fiskalë, ndërkohë që ne kemi një borxh që është akumuluar që vetëm për vitin 2017 borxhi ishte 3 miliardë lekë të reja. Unë nuk e kuptoj se çfarë kanë bërë inspektorët tatimorë gjatë gjithë kësaj kohe. Askush nuk ka lëvizur gishtin në të gjithë këtë situatë, nuk doli nga dora e shtetit në mënyrë të pashpjegueshme”, u shpreh më tej Soko.