Nikoll Kola nuk ka dalë asnjë ditë prej apartamentit në ish-konviktin tre katësh në Laç, të cilin e bleu me dëshmitarë para 15 viteve. Godina u shpall e pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit, por Nikolla që jeton me pension invalidi, nuk e braktiste dot atë pak pasuri që kishte brenda, shkruan Reporter.al.
Dy fëmijët dhe e shoqja u trasferuan atëherë në një prej hoteleve në Shëngjin, ku qëndruan për dy muaj. Por së fundmi janë kthyer sërish në godinën e rrezikshme, pasi nuk gjetën dot shtëpi me qira dhe nuk përfituan as bonus.
Pa asnjë ndihmë dhe zgjidhje të sigurtë për strehim, Nikolla trembet për fëmijët. “Mua të më zënë brenda s’ka problem, vetëm kam hallin e fëmijëve,” thotë ai me lot në sy.
Nikoll dhe Dile Kola janë rikthyer në shtëpinë e tyre, ndërkohë që godina është shpallur e pabanueshme nga autoritetet.
Godina tre katëshe ku jeton familja Kola ka pësuar dëmtime në strukturë, por në dijeni të banorëve, ende nuk ka një vendim zyrtar se çfarë do të bëhet me të. Edhe brenda banesës, muret kanë plasaritje dhe qëndrimi nën to është i frikshëm. Bashkëshortja e Nikollës, Dile Kola thotë se është e vetëdishme për rrezikun, por “nuk kanë zgjidhje tjetër”.
Bashkëshortët mund ta dokumentojnë blerjen e godinës vetëm përmes një kontrate jo-formale blerjeje, në të cilën veç firmës së tyre janë edhe ato të 5 dëshmitarëve. Dokumentet janë dorëzuar në bashkinë e Kurbinit, por ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ndërsa pensioni i invalidit prej 10 mijë lekësh nuk u mjafton për të marrë banesë me qira.
Në situatë të ngjashme dhe me mungesë dokumentesh janë edhe mjaft familje të tjera, të cilat në fillim të shkurtit u detyruan të linin hotelet pas ndërprerjes së kontratave prej bashkive dhe të ktheheshin në shtëpitë gjysmë të shembura.
Shtëpitë e shpallura të pabanueshme rrezikojnë të pësojnë dëme apo shemben edhe prej lëkundjeve më të vogla sizmike. Viktimat e tërmetit të 26 nëntorit në Thumanë jetonin në pallate që kishin pësuar dëme nga lëkundje sizmike më të hershme, por ishin detyruar të ktheheshin në to.
Një zyrtar i bashkisë së Kurbinit pranoi problemin, por tha se ata vetë nuk mund të bënin asgjë derisa të kishte një vendim qeverie për rastet e kësaj natyre. Ndërsa kryebashkiakja Majlinda Cara nuk qe e arritshme për një koment, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Pa dokumente dhe të braktisur
Të njëjtin problem si familja Kola ndan edhe Valdete Kodra, 50 vjeç, e cila është rikthyer në banesen e saj të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit në qytetin e Laçit. Ajo tha se ishte në pamundësi për të gjetur një vendstrehim tjetër, pasi nuk përfiton as bonus qiraje.
Për këtë arsye, gruaja është rikthyer në mjediset e ish-konviktit ku ka jetuar para tërmetit të nëntorit.
“Kam qëndruar më shumë se 2 muaj e strehuar në hotel “Rafaelo” në Shëngjin, por prej aty na nxorën, pasi shteti e ndërpreu kontraten. Tani u riktheva sërish tek banesa ku kam jetuar më parë, pasi nuk kisha zgjidhje tjetër,” thotë Kodra.
Ajo tregoi se shtëpinë e kishte blerë para 20 vitesh, por nuk ka letra dhe nuk përfiton dot bonus qiraje. “Së bashku me burrin dhe tre fëmijët jemi futur sërish te banesa ku kemi jetuar më parë. Godina është shpallur e pabanueshme dhe ka shumë rrezik. Kemi shumë frikë, por s’kemi ça të bëjmë, nuk kemi vend ku të qëndrojmë,” thotë Kodra.
Në Shëngjin, tre hotelet ku qëndronin të strehuar banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit janë boshatisur. Të mbetur në mes të katër rrugëve, një pjesë e banorëve të Kurbinit u rikthyen në shtëpitë e shkatërruara.
Dile Kola tha se gjatë kohës që kishin qëndruar në hotel ishin përpjekur çdo ditë të gjenin një banesë me qira, por të ardhurat e tyre nuk ishin të mjaftueshme, ndërsa çmimet u rritën menjëherë.
“Siç e shikoni dhe vetë, pallati është shpallur i pabanueshëm. Dëmtime ka dhe brenda shtëpisë tonë, pasi janë plasaritur muret në disa pjesë,” thotë ajo. Dilja shton se ende shpreson që t’i japin bonusin e qirasë, pasi kjo pagesë do ta ndihmonte.
Banorët i thanë BIRN se për shumë prej godinave të pabanueshme nuk ka pasur ende një vlerësim përfundimtar dhe ata ende nuk e dinë se çfarë do të bëhet me banesat e tyre. Numri i pallateve që iu është vendosur shenja e kuqe në Kurbin është 80, por deri tani vetëm 7 prej tyre janë shembur, pasi për të tjerët pritet vlerësimi përfundimtar, i cili do të vendosë se çfarë do të bëhet me to.
Problemet me bonusin
Të tjerë banorë që i kanë dokumentet e pronësisë në rregull thonë se kanë përfituar bonusin, por nuk kanë gjetur dot shtëpi me qira.
“E kam përfituar bonusin 120 mijë lekë (të vjetra), por s’kam mundur të gjej shtëpi me qira me këtë çmim. Ka 1 muaj që kërkoj në Kurbin dhe Lezhë, por çmimet janë shumë të shtrejta,” thotë një banore nga fshati Gjorm. Ajo tregon se jeton me shumë frikë në shtëpinë e dëmtuar. “Shpresoj të mos ketë lëkundje të tjera sepse do na zërë brenda,” shton gruaja.
Por në qytetin e Laçit, ka dhe familje që kanë dokumentacionin dhe ende nuk kanë përfituar bonusin e qirasë. Kastriot Ndoci, banor i lagjes numër 4, thotë se pallati numër 114 është shpallur i pabanueshëm dhe për këtë ka dhe aktin e konstatimit. Ai ka aplikuar prej 1 muaji për bonusin e qirasë, por ende nuk i ka dalë.
“Unë e kam banesën tek pallati 114 në lagjen numër 4. Pallati është shpallur i pabanueshëm dhe për këtë kam dhe aktin e konstatimit që e ka të shkruar RDS5. Që prej tërmetit jam larguar nga aty dhe gati 1 muaj qëndrova tek të afërmit e mi. Tani kam marrë një shtëpi me qira në Kamëz dhe po e paguaj vetë 170 mijë lekë,” thotë ai.
Ndoci thotë se ka gjithë dokumentacionin dhe nuk e di pse po ka vonesa. Një tjetër banor i tha BIRN se shtëpia e tij kishte qenë e pabanueshme që prej tërmetit të 21 shtatorit. Alfred Syziu, i cili banon në periferi të qytetit të Laçit, tregon se banesa ishte dëmtuar rëndë, por askush nuk shkoi për ta verifikuar.
“Shtëpia ime private më është dëmtuar që nga tërmeti i 21 shtatorit dhe nuk jetoj brenda. 1 muaj qëndrova në një hotel bashkë me familjen, kam këtu dhe faturën, ndërsa tani jam vendosur te shtëpi e vëllait. 5 herë kam bërë kërkese në bashki për të ma verifikuar, por askush nuk ka ardhur,” thotë Syziu.
Në bashkinë e Kurbinit, asnjë nuk foli zyrtarisht mbi problemet e banorëve. Një zyrtar i tha BIRN në kushte anonimati se bonuset kishin kaluar ose do të kalonin shpejt, por tha se për ata që kishin mungesë dokumentacioni, do pritej ndonjë vendim i qeverisë.
Deri atëherë, dhjetra familje do duhet të flenë me zemër të ngrirë nën tavane të çara dhe mure që duket sikur do të bien nga një moment në tjetrin./REPORTER.AL