Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka gjetur një komunikim tjetër të drejtpërdrejtë me të rinjtë. Për të marrë sa më shumë opinionin e tyre se çfarë duan ata nga qeverisja e nesërme e PD, zoti Basha po përdor komunikimin në instagram për të dëgjuar të rinjtë. Me moton #Po të dëgjoj, Basha ka bërë një pyetje provokative për të nxitur bashkëbisedimin me të rinjtë dhe pëe të kuptuar nevojat e tyre konkrete për një arsim sa më të mirë.
“Ky është komunikimi ynë i parë në Instagram dhe do të doja të dija mendimet tuaja për shumë çështje. Por le ta nisim me problemet e rinisë. Nëse do të drejtonit Ministrinë e Arsimit për një ditë, cili do të ishte vendimi i parë që do të merrnit për të përmirësuar jetën e të rinjve në Shqipëri?’- pyet Basha.
Komunikimi në instagram, një rrjet social i përdorur në masë nga të rinjtë, është një format e reja të komunikimit publik të shefit të opozitës. Deri tani komunikimi është shumë impenjativ dhe ka tërhequr me mijëra komente, përgjigje dhe pyetje, që, me siguri, do të sjellin reagimin e kreut të opozitës. Lulzim Basha e konsideron rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe parauniversitar prioritet kyç të planit të tij për të qeverisur vendin.