Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shprehu “shqetësim të madh për tendencat e propagandës nacionaliste” në vend.
Ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock, dhe homologia e saj sllovene, Tanja Fajon, duan të promovojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE. Por edhe vendet duhet të kryejnë reformat e tyre në këtë drejtim, thanë dy kryediplomatet pas një takimi të tyre të martën në Lubjanë.
“Nuk mund të ketë zona gri në Evropë”, tha Annalena Baerbock. “Në një kohë kur presidenti rus, i cili në çmendurinë e tij perandorake po sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe rendin e paqes në Evropë, duhet të jetë e qartë se ne mbrojmë këtë paqe”, tha ministrja e Jashtme. Këtë e demonstruan 55 shtetet në takimin e fundit të OSBE-së në Shkup dhe kjo vlen edhe më shumë për Bashkimin Evropian.
Ballkani Perëndimor në BE – një domosdoshmëri gjeostrategjike
Ministret e Jashtme të Gjermanisë dhe Sllovenisë, Baerbock dhe Fajon, siguruan se duan ta shtyjnë përpara anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Ky zgjerim është një domosdoshmëri gjeostrategjike”, tha Tanja Fajon. Zgjedhjet e ardhshme në Serbi do t’i shtojnë një dinamikë të veçantë procesit.
Është shumë e rëndësishme që në të njëjtën kohë me procesin e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, Ballkani Perëndimor të mos lihet anash. “Agresioni në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rreziqet e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon. Ajo u ankua për largimin e shumë të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, çka është pasojë e mungesës së perspektivës. “Ata nuk kanë më besim në historinë e këtij procesi të zgjerimit”, tha Fajon.
Tanja Fajon tha më tej se shpreson që zgjedhjet parlamentare në Serbi të jenë “demokratike dhe transparente”, por shtoi se edhe “BE-ja të dërgojë sinjale të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit. Fajon pret mbi të gjitha progres në negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën dhe lehtësimin e vizave për Kosovën. “Deri në fund të dekadës ne duhet të ndërmarrim disa hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja e Jashtme sllovene.
Serbia të ndjekë rekomandimet e OSBE-së
Në lidhje me sjelljen e lidershipit në Beograd ndaj BE-së dhe marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, Baerbock tha: “Kur flasim tani për zgjerimin, është e qartë se nuk mund të ulesh njëkohësisht dy karrige”. Prandaj, bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.
Qëndrimi i Serbisë ka ndikim edhe në çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Serbisë dhe BE-së. “Kjo do të thotë gjithashtu se ne po i ndjekim nga afër zgjedhjet e reja në Serbi”, tha Baerbock. Qeveria serbe duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-së në lidhje me institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut nga zgjedhjet e fundit në vitin 2020, paralajmëroi Baerbock. Politikania e Partisë së Gjelbër përmendi në mënyrë specifike “dështimin për të garantuar qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë në të kaluarën” dhe foli për presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve publike nga qeveria serbe.
“Kjo është arsyeja pse është po aq e rëndësishme që t’i shikojmë nga afër këto pika me synimin për zgjedhjet e reja,” tha Baerbock. Edhe nëse disa nga këto pika janë në të kaluarën, ato janë ende një problem sot.
Baerbock ishte në Lubjanë për një vizitë të shkurtër dypalëshe. Atje ajo foli me kolegen e saj sllovene Tanja Fajon dhe me kryeministrin Robert Golob. Ministrja e Jashtme gjermane vizitoi edhe Qendrën Kombëtare të Logjistikës, e cila u pajis rishtazi për situata krize pas përmbytjeve të fundit. Gjermania ishte vendi që i dha Sllovenisë ndihmën më të shpejtë pas katastrofës së përmbytjeve.
DW