Rezultatet e “PISA 2022”, gazetari: “Shndërrimi i shkollës në fasadë të propagandës, e shkatërroi arsimin”

Lidhur me rezultatet e publikuara të “PISA 2022”, të cilat e rendisnin vendin tonë në radhën e fundit në Rajon përsa i përket performances së nxënësve 15-vjeçar, ka reaguar gazetari dhe profesori Namir Lapardhaja.

Lapardhaja me një eksperiencë të gjatë në arsimin e mesëm dhe atë të lartë, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social facebook, shprehet se një gjë e tillë vjen si shkak i dekurajimit të shkollës, të mësuarit dhe të promovimit të modeleve të pasurimit të shpejtë dhe të pandershëm.

“Përveçse problemit kulturor, politikat e gabuara në arsim, përgjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste, e kanë shndërruar shkollën në një institucion burokratik, ku mësuesi ka më shumë punë me shkresa se sa me mësimdhënien, duke e  humbur misionin kryesor që ka shkolla dhe duke e shndërruar në një fasadë për të mbajtur gjallë propagandën qeveritare të sukseseve imagjinare.” – shkruan Lapardhaja.

Lapardhaja hedh akuza të rënda ndaj Ministrisë së Arsimit, e cila, sipas tij, jo vetëm që nuk dëgjon ekspertët e fushës, por vijon ta thellojë edhe më tej padëgjueshmërinë e saj, duke promovuar analfabetë funksional.

“Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, i cili ka nevojë për një shkundje tërësore, duke filluar nga politikat e duhura, nga një debat i hapur dhe vetëkorrigjues, duke pranuar mangësitë dhe dështimet, dhe nga një politikë arsimore kombëtare, si një kambanë alarmi se me dështimin e sistemit arsimor, është duke dështuar edhe e gjithë hierarkia e vlerave shoqërore.” – përfundon reagimin e tij Namir Lapardhaja.

Më poshtë postimi i plotë:

Rezultatet e “PISA 2022” tregojnë një rënie të paprecedent të performancës së nxënies së nxënësve shqiptarë krahasuar me vitin 2018.

Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që marrin pjesë në testim, duke mbetur pas edhe vendeve të Rajonit.

Një gjë e tillë vjen si shkak i dekurajimit të shkollës, së të mësuarit dhe të promovimit në shoqëri të shembujve të pasurimit të shpejtë dhe të pandershëm.

Përveçse problemit kulturor, politikat e gabuara në arsim, përgjatë gjithë viteve të qeverisjes socialiste, e kanë shndërruar shkollën në një institucion burokratik, ku mësuesi ka më shumë punë me shkresa se sa me mësimdhënien, duke e  humbur misionin kryesor që ka shkolla dhe duke e shndërruar në një fasadë për të mbajtur gjallë propagandën qeveritare të sukseseve imagjinare.

Nga një vatër edukimi shkolla është shndërruar në një vatër riedukimi, ku nuk i jepet përparësi të nxënit, por pjesëmarrjes numerike të nxënësve, pavarësisht të mësuarit ose sjelljes.

Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, duke nisur nga fillorja, që përgatit nxënës analfabet, të keqmësuar në shumë raste nga mësues të tillë, e deri te matura shtetërore, e cila, ndonëse ka dështuar në të gjithë dimensionet e saj, vijon të propagandohet nga qeverisa si sukses.

Sado e suksesshme të ketë qenë, vetëm ideja se ka përafërsisht njëzet vite që aplikohet, kërkon të rishikohet dhe të ridimensionohet në të gjithë elementet e saj.

Mirëpo, Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk dëgjon, por vijon ta thellojë edhe më tej padëgjueshmërinë e saj, duke çuar në maturë analfabetë funksional dhe duke i kaluar si pasojë e dështimit të mbarëvajtjes së rregullave strikte të këtij provimi.

Por nuk është thjesht matura shtetërore që ka dështuar dhe që pastaj evidenton këto rezultate.

Ka dështuar i gjithë sistemi arsimor, i cili ka nevojë për një shkundje tërësore, duke filluar nga politikat e duhura, nga një debat i hapur dhe vetëkorrigjues, duke pranuar mangësitë dhe dështimet, dhe nga një politikë arsimore kombëtare, si një kambanë alarmi se me dështimin e sistemit arsimor, është duke dështuar edhe e gjithë hierarkia e vlerave shoqërore.

FB IMG 1701805101738

Artikulli paraprakGjermania paralajmëron Serbinë në prag të zgjedhjeve: Nuk mund të ulesh në dy karrige
Artikulli tjetërGazetari Poli Hoxha: Mbi 200 efektivë rezultojnë në përgjimet e Sky