Ylli Manjani, ish-ministri i Drejtësisë vazhdon të akuzojë qeverinë Rama për shkelje të ligjit, keqqeverisje, për përhapjen e kanabisit dhe censurimin e medias. Në postimin e tij në Facebook ai shkruan se nuk mund të ndëshkohet e majta për problemet në qeverisjen Rama. Ai i bën thirrje të majtës të bashkohet, si e vetmja rrugë për largimin e “të keqes prej nesh, prej qeverisë dhe prej shtetit tonë të përbashkët”.
Para pak ditësh, zoti Manjani sulmoi dhe projektin e “1 miliard euro” të njoftuar nga Kryeministri si investimi kryesor për mandatin e dytë qeverisës. Zoti Manjani e quajti këtë projekt “pastrim parash”.
“Projekti 1 miliard euro i shpallur nga Kryeministri është pastrim parash! Kultivimi dhe tregtia e hashashit i paska mbledhur 1 miliard euro, por u duhet një vend për t’i fshehur. Mënyra më e mirë është investimi. Investimi në projekte qeveritare është më i sigurti”, shkruan ai në një postim në Facebook.