Agjencia S&P’s: Në Shqipëri,mungesë të investimeve të huaja

Agjencia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s vlerëson si zhvillime problematike në ekonominë shqiptare numrin e lartë të kredive të këqija dhe mungesën e investimeve të huaja. Në raportin e përvitshëm S&P’s ka vlerësuar bashkëpunimin e Shqipërisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore. Lidhur me dy problemet kryesore, investimet e huaja direkte (IHD) dhe kreditë e këqija, S&P’s shkruan për Investimet e Huaja Direkte: Zbatimi i pjesës kryesore të projektit TAP, gjatë vitit 2017, do të sjellë rritje të vlerës së investimeve të huaja direkte. Pavarësisht kësaj, rreziku se IHD-të do të ulen në vitet e ardhshme, është i lartë. Projekte të mëdha disavjeçarë të tilla si TAP, në total rreth 1,5 miliardë euro investim, sjellin flukse pozitive në ekonomi, por vetëm për një kohë të shkurtër. Zbatimi i reformave, lufta ndaj korrupsionit, respektimi i të drejtës së pronës dhe forcimi i institucioneve do të përmirësonin ndjeshëm klimën e biznesit në vend, do të tërhiqnin investime të reja të huaja direkte dhe do të rrisnin perspektivën e rritjes ekonomike të vendit. Për kreditë e këqija: Niveli i kredive të këqija vazhdon të mbetet mbi 20 për qind, shifër kjo shqetësuese. Niveli i lartë i kredive të këqija ul besueshmërinë e bankave, pengon kreditimin dhe kufizon rimëkëmbjen ekonomike. Përmirësimet në sistemin ligjor mund të luajnë rol të rëndësishëm në uljen e këtyre kredive. Konkurrenca e pandershme dhe kostot e larta për energjinë elektrike janë dy pengesat kryesore për sipërmarrësit shqiptarë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ky përfundim u nxor pas një anketimi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në anketim, që kishte për qëllim të nxirrte në pah vështirësitë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, u morën në pyetje 1 800 sipërmarrës nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje-Hercegovina. Të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset në vendet e Ballkanit Perëndimor përkthehen në kosto të larta. Studimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim “Studimi i Mjedisit për Biznesin dhe Performanca e Sipërmarrjes”, (BEEPS) që ka marrë në vrojtim 1,800 pronarë biznesesh dhe menaxherë bën të ditur se katër janë çështjet që kanë ndikim më të fortë: krimi, çështjet energjetike, infrastruktura e dobët dhe korrupsioni.

Artikulli paraprakSi i bleu Soros republikanët që dolën kundër Trumpit?
Artikulli tjetërManjani: Rama, e keqja e të majtës