Grevistët e Zharrëzës nxjerrin me forcë deputeten e PS

Prej pothuajse një jave banorët e Zharrëzës janë futur në grevë urie për të protestuar kundër qeverisë që nuk reagon për shpërthimet e kompanisë Bankers, e cila ka dëmtuar banesat e tyre. Deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima ka shkuar për të takuar banorët që kanë hyrë në grevë, por nuk është pritur mirë. Deputetja hyri në ambientet e grevës dhe u ka dorëzuar grevistëve një raport të komisionit ndërministror ku pranohej dëmi dhe ku premtoheshin riparime. Të revoltuar, grevistët i grisën letrat përpara saj dhe e nxorrën jashtë me forcë. Videot e mëposhtme nga “Nisma Thurrje” tregojnë më së miri se çfarë ndodhi. Dje në seancën parlamentare, në përgjigje të deklaratave të deputetit Ben Blushi në parlament se qeveria është e blerë nga kompania kanadeze Bankers, pasi ka marrë përsipër mbulimin me taksat e shqiptarëve të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet e kompanisë, zv/kryeministri Niko Peleshi tha se Bankers nuk ka pranuar as konkluzionet e qeverisë dhe as të paguajë për dëmet. Çështja Bankers mori përmasa politike vetëm pak ditë më parë, pas deklaratave të kryeprokurorit Adriatik Llalla se ambasadori amerikan Donald Lu kishte ndërhyrë për pushimin e hetimeve ndaj kompanisë në fjalë. Tre ditë më parë doli raporti i Grupit Ndërkryeministror të ngritur nga qeveria për vlerësimin e situatës në fshatin Zharrës, ku prej muajsh ka pasur lëkundje të tokës dhe konkluzioni i tij është se qeveria është e pafuqishme për të detyruar kompaninë Bankers të pranojë përgjegjësitë dhe të dëmshpërblejë banorët. Ndërkohë një grup banorësh të kësaj zone janë futur në ditën e shtatë të një greve urie që po zhvillojnë pikërisht për këtë çështje.

Artikulli paraprakMe 18 shkurt rrëzojmë organizatën mafioze
Artikulli tjetërTritan Shehu: Reforma në shëndetësi dështoi