Shtatë muaj larg kombëtares. Për herë të fundit i grumbulluar në sfidën me Lihtenshtejnin, në tetor të 2016-ës. Ajo që dukej si një krisje e pariparueshme ndërmjet Ergys Kaçes dhe trajnerit Gianni de Biasi tashmë është hedhur pas shpine.
Mesfushori shtatshkurtër kthehet me kombëtaren, prej ndeshjeve të radhës, miqësores së 4 qershorit me Luksemburgun dhe sfidës delikate në kualifikueset e Botërorit 2018, më 11 qershor në fushën e Izraelit. Një ndeshje që mund të vendosë shumë për fatin e edicionit të Shqipërisë dhe ku nevojitet kontributi i të gjithëve. Edhe ai i një lojtari si 23-vjeçari korçar.
Pavarësisht se në këtë sezon ka luajtur më pak se 25 ndeshje mes çekëve të Viktoria Plzen dhe grekëve të PAOK, klasi dhe kualiteti i Kaçes nuk kanë diskutim. Mjafton të kujtosh që në fundin e sezonit rifitoi besimin e skuadrës nga Selaniku, ku u rikthye në protagonist.
Për herë të fundit ka zbritur me Shqipërinë në fushë në miqësoren e 31 gushtit të kaluar, të barazuar me Marokun në Shkodër. De Biasi e ka argumentuar lënien jashtë ekipit në muajt e fundit si zgjedhje teknike, duke theksuar se lojtarët duhet të pranojnë zgjedhjet e trajnerit dhe se futbollistë të mëdhenj janë ata që pranojnë edhe stolin, duke sakrifikuar për të mirën e përbashkët.
Një leksion që Kaçe tashmë duket e ka kuptuar dhe mësuar. Mesfushori është gati të bëjë gjithçka për kombëtaren. Në çdo moment kur të thirret në kauzë. Pse jo të tentojë një tjetër magji në Izrael, si ajo që i dhuroi Shqipërisë fitoren historike me Francën në miqësoren e qershorit 2015. Kaçe rikthehet i gatshëm për kuqezinjtë pikërisht në këtë periudhë të vitit. Ndoshta fati e do që ai të jetë sërish vendimtar…