Policia italiane ka sekuestruar 2.8 kg kokainë dhe më shumë se gjysmë kg substancë përzierëse si dhe ka vënë në pranga 5 shqiptarë nën akuzën e trafikut të kokainës. Aktivitetin e tyre, ata e zhvillonin në krahinat e Pratit dhe të Firences. Fillimisht ka nisur ndjekja ndaj dy shqiptarëve në zonën e Sesto Fiorentinos, ku fillimisht janë gjetur rreth 300 gram kokainë.
Hetimet zbuluan më pas edhe një person të tretë, po shqiptar që shërbente si furnizues. Atij ju gjetën 523 gramë kokainë në makinën e tij. Arrestimet çuan edhe në kërkime të mëtejshme në Prato dhe Firence. Në Prato, në zonën qendrore është identifikuar edhe një shtëpi si bazë e kokainës, ku është gjetur 1.5 kg kokainë dhe 300 gram substancë e përdorur për prerjen e lëndës. Ndërkohë, aty janë gjetur edhe 21 mijë euro para të gatshme.
Një tjetër shqiptar u arrestua, pasi u gjet në apartament dhe që shërbente për ruajtjen e narkotikëve dhe të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm. Në Firence, në zonën e San Donnino, ushtria gjeti edhe një gjysmë kg kokainë dhe materiale për paketimin. Operacioni atje çoi në arrestimin e një tjetër shtetasi shqiptar.
Kështu në pranga përfunduan shtetasit me iniciale N.E, 31 vjeç, C.F, 30 vjeç, K.A, 31 vjeç, si dhe D.B, 41 vjeç, banues në Firence. Sasia totale e drogës së kapur është 2.8 kg kokainë dhe më shumë se gjysmë kg substancë përzierëse. Karabinierët gjithashtu kanë konfiskuar shumën prej 21.460 euro, duke vlerësuar se është përfituar nga shitja e drogës dhe materialet për paketimin e dozave. Të pesë shqiptarët janë dërguar në burgun Sollicciano.
Një ditë më parë, dy shqiptarë u arrestuan në Breshia me 15 kg kokainë, vlera e të cilës në tregun italian shkon rreth 5 milionë euro. Një nga shqiptarët e arrestuar rezulton vetëm 14 vjeç, dhe një pjesë e drogës iu gjet në një çantë shkolle. Minoreni së bashku me një 24-vjeçar janë mbajtur në vëzhgim për disa ditë dhe më pas u arrestuan teksa dolën nga një garazh automjetesh. Ata janë ndaluar në bordin e një automjeti dhe në zotërim të 14-vjeçarit janë gjetur 6 kg kokainë e ndarë në disa pako.
Pas kontrollit në banesën e minorenit 14-vjeçar janë gjetur dhe 9 kg të tjera kokainë, 3 kg prej të cilave ndodheshin në çantën e shkollës së bashku me një peshore të vogël. 14-vjeçari shqiptar ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, punëtorë të rregullt e të integruar mirë në jetën sociale breshiane. Një familje perfekte, e cila nuk kishte asnjë dijeni mbi atë çka kishte bërë djali i tyre.