Trafiku klandestinëve drejt Greqisë, 1 milion euro fitimi i grupit shqiptar

 

Një shqiptar dhe një irakian ishin krerët e një grupi kriminal që u asgjësua të premten në Athinë dhe pajiste me dokumente të falsifikuara emigrantë që donin të udhëtonin për në vendet e BE-së. Sipas komunikatës së policisë, nga verifikimet e deritanishme, rezulton se fitimet e këtij grupi e kalojnë shifrën 1 milion euro.
Gjatë operacionit që u realizua ditët e fundit me mbështetjen e Qendrës Europiane kundër trafikimit të emigrantëve – EMSC, u arrestuan 8 persona, 4 irakianë, një shqiptar, një sirian, një bangladeshas dhe një shtetase greke.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të arrestuarve, u gjetën dhe u sekuestruan dokumenta të falsifikuara si pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi, tre kompjutera, katër vula shërbimesh shtetërore, 19.040 euro, dollarë amerikanë, dinarë irakianë dhe lira turke, 2 automjete dhe 18 telefona celularë.
Sa i përket mënyrës së veprimit, grupi përgatiste dokumente udhëtimi të falsifikuara, që pastaj ua shiste trafikantëve të ndryshëm. Çmimet e shitjes me shumicë varionin nga 100 deri në 240 euro. Pastaj trafikantët pajisnin me këto dokumente dhe kundrejt çmimeve të “kripura”, emigrantë që donin të udhëtonin nga Greqia për në vende të tjera të BE-së.
Sipas policisë, krerët e këtij grupi kriminal ishin një irakian dhe një shqiptar. I pari, merrej me mbylljen e marrëveshjeve dhe dorëzimin e dokumentave te trafikantët, ndërsa shtetasi shqiptar kishte si mision sigurimin e dokumentave të falsifikuara.

Artikulli paraprakSekuestrohen llogaritë bankare 300 mijë euro të një gruaje në Vlorë
Artikulli tjetër5 shqiptarë kapen në Itali me 2.8 kg kokainë dhe 21 mijë euro