“Më pëlqen shumë”. Me këto fjalë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është referuar kryeministres, Giorgia Meloni. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të cilët pyesnin nëse ishte i gatshëm t’i bënte lëshime Italisë në lidhje me tarifat, Trump tha se “më pëlqen shumë Georgia Meloni: të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Të hënën, më 20 janar, Kryeministrja italiane mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Kongresi për inaugurimin e administratës së dytë Trump. Meloni, e vetmja lidere evropiane e pranishme në inaugurimin e presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara, mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Kongres, e ulur pranë presidentit argjentinas Javier Milei.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Meloni tha se ishte “e sigurt se miqësia mes kombit amerikan dhe atij italian dhe vlerat që na bashkojnë do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin mes Italisë dhe SHBA-së, duke adresuar sfidat globale dhe duke ndërtuar një të ardhme prosperiteti dhe siguri për popujt respektivë”. Italia, përfundoi ajo, “do të jetë gjithmonë e përkushtuar për të konsoliduar dialogun midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, si një shtyllë thelbësore për stabilitetin dhe rritjen e komuniteteve tona”.