Braziliani Nejmar nuk është kthyer ende në fushën e lojës, ndonëse ka filluar të stërvitet rregullisht. Por duket e sigurt se nuk do të shihet më me fanellën e Al Hilal, klub i cili ka hequr dorë prej futbollistit dhe vazhdon planet pa të.
Nejmar paguhet 100 milionë dollarë rrogë në vit nga sauditët dhe shuma të tjera të larta për promocionin që i ka bërë Arabisë Saudite, edhe pse nuk ia ka dalë të shprehë talentin aty për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme që e lanë për një periudhë të gjatë jashtë fushave të lojës.
Tani ai po mendon që të largohet nga sauditët me të cilët ka kontratë deri në qershor, për t’u kthyer në vendlindje, ku e pret krahëhapur Santos. Kuptohet që klubi nga i cili ai doli nuk ka fuqinë ekonomike të përballojë rrogat e Nejmar.
Por zgjidhja vjen pikërisht nga milionat që Nejmar ka fituar në Arabinë Saudite. Mediat braziliane kanë bërë të ditur se ai do të përdorë një pjesë të parave për të blerë një kuotë të klubit, ndërsa një pjesë tjetër do t’i jepet në vend të rrogës, për t’u bërë një nga aksionerët e maxhorancës së tij.