Pyetja që shtrohet sot nga shtypi ndërkombëtar për skandalin e 80 mijë dollarëve të fotos të Ramës me Presientin Obana është nëse Prokuroria shqiptare do të mund të hetojë Ramën për këtë skandal. Duket se shantazhi dhe presioni ndaj drejtësisë në Shqipëri nga kreu i qeverisë ka po aq jehonë ndërkombëtare sa edhe skandali i Ramës me Bilalin.
Shehu ka pranuar para hetuesve amerikanë se ai ka shkelur ligjet e këtij vendi dhe se në këtë shkelje ligji ai ka qenë i shoqëruar nga Rama.
Mediat prestigjioze ndërkombëtare po pasqyrojnë detaje të zhvillimeve hetimore e politike mbi atë që opozita shqiptare e quan një skandal të përmasave të mëdha, në të cilin është përfshirë Kryeministri Edi Rama, duke investuar, (sipas opozitës dhe disa mediave të huaja), 80 mijë dollarë në fushatën elektorale të Presidentit Obama në vitin 2012, për të bërë një foto me të. Kjo foto u përdor më pas nga Rama për fushatën elektorale të vitit 2013, ku zgjedhjet u fituan nga koalicioni PS–LSI.
Partia Demokratike e ka kallëzuar Kryeministrin Rama në Prokurori për 3 vepra penale. Kryeministri i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka quajtur ato si përpjekje të dëshpëruara të opozitës “për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi”.
Personi që bleu dy biletat 80 mijë dollarëshe për të marrë pjesë në takimin elektoral të Obamës në tetor 2012 në San Francisko, shqiptari Bilal Shehu i ka pranuar të gjitha akuzat përpara një gjykate federale. “Zëri i Amerikës” raportoi javën e shkuar se, kishte mësuar që fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria.
Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të Presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me Presidentin Obama.
Opozita dhe disa media të huaja që e raportuan fillimisht këtë ngjarje, saktësojnë se shtetasi i huaj që nuk hyri dot në takimin elektoral të Obamës, pasi e ndalonte ligji dhe që arriti të bënte foton me Presidentin është Kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Nënkryetari i PD, Edi Paloka, tha dje se për këtë krim federal po shkruajnë, veç “Zërit të Amerikës”, mediat më prestigjioze ndërkombëtare.
“Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi ‘Reuters’ dhe ‘Zëri i Amerikës’, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike. Sot listës së mediave botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe ‘Washington Post’, ‘Associated Press’, ‘Daily Mail’, ‘The Guardian’. Mbarë globi e di sot dhe tregon me gisht Edi Ramën, pasi mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për krimin federal që po hetohet nga FBI, krim i investuar nga shefi i rilindjes”.
Opozita e paditi Ramën për kryerje të tri veprave penale të dënueshme në Shqipëri, përveç hetimit që po bën FBI. Në akuzën e dorëzuar në Prokurori nga PD, Rama është kallëzuar për ndikim të paligjshëm, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrim të parave.
Bilal Shehu, me banim në Paramus të Nju Xhersit, që menaxhon një kompani limuzinash, pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.
Ai pranoi se në muajin tetor 2012 kishte ndihmuar një shtetas të huaj grek dhe një shtetas tjetër të huaj për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë “nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh, i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama”.
Shtetasi i Huaj 2, thotë opozita në Shqipëri, është Edi Rama dhe Shtetasi i Huaj 1 një biznesmen pranë tij.
Bilal Shehu pranoi po ashtu se gjatë muajit shtator 2012 kishte mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisko të Kalifornisë për mbledhje fondesh dhe se kishte mësuar gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në aktivitetin e San Franciskos për mbledhje fondesh në atë datë.
I pandehuri Shehu, siç raportoi “Zëri i Amerikës”, u përgjigj pozitivisht edhe kur u pyet nëse “ra dakord të merrte pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në aktivitetin e San Franciskos për mbledhje fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan” dhe kishte pranuar “fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i tij personal”.
Bilal Shehu ka pranuar se 80 mijë dollarët i kishte marrë në fund të shtatorit në llogari bankare “për të blerë dy çeqe bankare në emrin e tij dhe të gruas tij për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë” dhe se këto çeqe ia kishte dërguar Komisionit për Mbledhje Fondesh “për të siguruar hyrjen në aktivitetin e San Franciskos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2”.
Enton DOCI