Tre arsyet e vizitës së Nuland në Tiranë

Nënsekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland do të vizitojë Tiranën më 10 korrik si pjesë e një turi takimesh që përfshin disa vende të Ballkanit. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit njoftoi të mërkurën se vizita në Tiranë e diplomates amerikane do të ketë në fokus Reformën në Drejtësi. “Ndihmëssekretarja Nuland do të udhëtojë në Tiranë, ku ajo do të takojë zyrtarë të lartë të qeverisë, liderë politikë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile, me të cilët do të bisedojë çështje bilaterale dhe rajonale, përfshirë reformën në sistemin gjyqësor”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Para se të vizitojë Tiranën, diplomatja amerikane do të shoqërojë Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry në Tbilisi të Gjeorgjisë, Kiev të Ukrainës dhe Varshavë të Polonisë. Më 10 korrik, ndihmëssekretarja Nuland do të vizitojë fillimisht Kosovën, ku do të diskutojë me aktorët vendas dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet e integrimit Euro-Atlantik dhe përpjekjet antikorrupsion. Ecuria e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në fokusin e vizitës së saj më 11 korrik në Beograd, ndërsa më parë, Nuland do të  ndalojë në Shkup, ku do të zhvillojë diskutime për zgjidhjen e krizës politike. Vizita në Tiranë e diplomates së lartë amerikane, Nuland ndodh pak ditë para futjes në Kuvend të draftit të ndryshimeve kushtetuese mbi Reformën në Drejtësi, ndërsa takimet e saj me aktorët politikë pritet t’i shërbejnë gjetjes së një konsensusi për votimin e tij në Parlament.

Exit mobile version