A do t’i gëzohen emigrantët shqiptarë shkarkimit të Suella Braverman?

Shkarkimi i Suella Braverman nga posti i Sekretares së Brendshme në Britaninë e Madhe, a do të gëzojë shqiptarët?

Kjo pyetje lind pasi Braverman me të marrë postin në qeverinë britanike, “u shpalli luftë” emigrantëve që shkonin me gomone atje, përmes kanalit La Mansh. Pas këtyre deklaratave të ashpra, Braverman u kthye në “makthin” e shqiptarëve që prej kohësh ëndërronin Anglinë.

Këta të fundit ajo i cilësoi si “kriminelë dhe pushtues”, që nuk mund të qëndronin në Britaninë e Madhe, deklaratë kjo e cila shkaktoi reagime të shumta, si dhe zemërim tek shqiptarët që jetojnë dhe punojnë atje. Këta të fundit u mblodhën dhe protestuan në sheshet e Londrës, për t’i treguar qeverisë britanike se nuk ishin “kriminelë”.

Asokohe kryeministri Edi Rama dënoi retorikën kundër emigrantëve të ish-zyrtares britanike, duke thënë se qeveria e Britanisë së Madhe nuk duhet të fajësojë emigratët punëtorë shqiptarë për dështimin në politikat e emigrimit të paligjshëm.

Por jo vetëm kaq, madje qeveria britanike më herët hartoi një plan dhe kërkoi që refugjatët e paligjshëm, përfshirë dhe shqiptarët që kërkojnë azil, të dërgoheshin në Ruandë, pasi sipas tyre është një “vend i tretë i sigurtë”.

Por kjo kërkesë u rrëzua nga Gjykata e Apelit, pasi sipas gjyqtarëve Ruanda nuk është një vend i sigurtë për azilkërkuesit. Shpresojmë që me politikën e re që do të ndjekë Sekretari i ri britanik, James Cleverly, emigrantëve t’u hapet një derë dhe t’u jepet një mundësi për të qëndruar në mënyrë të ligjshme në vendin që ata kanë dëshiruar prej kohësh./ Liberale

Exit mobile version