A duhet mbrojtur SPAK-u nga politikanët e korruptuar?

Nga Namir Lapardhaja

Protestat kundër institucioneve të drejtësisë, anatemimi dhe linçimi i prokurorëve dhe gjykatësve në mënyrë nominale, kërcënimi me jetë në studio televizive apo portale, po kthehet në një ‘sport’ të rrezikshëm në Shqipëri, duke i hapur rrugë çdo krimineli dhe delikuenti të marrë kurajo e të bëjë të njëjtën gjë.

Çfarë do të ndodhte sikur çdo i akuzuar për korrupsion të paraqitej në dyert e Prokurorisë së Posaçme i rrethuar nga njëzet badigardë dhe nga dyzet mbështetës që shkumëzojnë dhe ulërijnë në mbrojtje të kockaxhiut të tyre sikur drejtësia të ishte diçka popullore dhe të ishin turmat ato që do të vendosnin për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit?

Këto pamje të kujtojnë Shqipërinë e viteve 1913-1914, ku çdo figurë me influencë politike lokale kishte nga prapa turmat të fandaksura që ishin gati në çdo moment për të destabilizuar shtetin e brishtë të sapo krijuar. Sigurisht që nuk jemi në ato kushte dhe turmat e sotme, përveçse të djegin disa goma makine, nuk përbëjnë rrezik shoqëror, por pamja anakronike e krijuar të lë shije e hidhur se punët nuk po venë si duhet.

Në vendet normale funksionojnë institucionet e drejtësisë dhe përballja e tyre bëhet individualisht dhe jo duke përzier organizatën politike apo duke përdorur mbështetësit si për të marrë kurajo dhe për t’i treguar drejtësisë se nëse më dënoni mua, do të keni punë me ta.

Armosfera helmuese e krijuar nga palët politike për të goditur institucionet e drejtësisë, duhet të marrë fund urgjentisht.
Kurrsesi nuk duhet lejuar që politika t’i lidhi duart drejtësisë, në mënyrë që ajo të mos ketë mundësi të funksionojë si duhet.

Institucionet e pavarura, siç janë institucionet e drejtësisë, janë pronë e sovranit, dhe është populli ai që ka përgjegjësinë për t’i mbrojtur.

Në kushtet kur grupe politike, organizata, parti apo politikanë të caktuar bëhen bashkë për t’i goditur këto institucione, është detyre e popullit-sovran të ngrihet, të bashkohet në mbrojtje të institucioneve, për t’i mbështetur dhe inkurajuar në punën e tyre, kundër çdo politikani të korruptuar që hetohet apo gjykohet për korrupsion.

Vetëm një drejtësi që ka aftësinë dhe kurajon, vullnetin, energjinë ti uli politikanët e lartë në bankën e të akuzuarëve, ajo është drejtësi që mund të funksionojë për të gjithë.

Ora e përballjes me SPAK-un po vjen për çdo politikan të korruptuar, të djeshëm apo të sotëm, të majtë apo të djathtë, në pushtet apo në opozitë, ndaj njerëzit e ndershëm të këtij vendi, ata që nuk kanë kurrfarë pune dhe lidhjeje me drejtësinë, ata që kurrë në jetën e tyre nuk e kanë shpërdoruar besimin e publikes apo të kenë futur një qindarkë të paligjshme në xhepin e tyre apo ato parti dhe grupacione që e mbështesin pa asnjë rezervë punën e institucioneve të reja të drejtësisë, të bëhen bashkë jo vetëm në përballjen e radhës politike, por, pse jo, edhe në një protestë masive solidariteti dhe inkurajimi për institucionin e SPAK-ut dhe të GJKKO-së, si e vetmja rrugë për të ekspozuar turpin e pashlyeshëm të frikacakëve të korruptuar që përballjen me drejtësinë duan ta ushtrojnë me ‘trima’ me vete.
Harrojnë se përpara drejtësisë dhe përpara Zotit, shkohet vetëm.

Exit mobile version