Hans-Werner Sinn
Kryeministrja britanike e ka konfirmuar. Mbretëria e Bashkuar, pa asnjë dyshim, do të largohet përfundimisht nga Bashkimi Europian dhe do të nisë të negociojë marrëveshje të reja tregtie. Pyetja tani është, çfarë lloj marrëveshjesh do të jetë i gatshëm të pranojë Bashkimi Europian?
Siç ka qartësuar edhe May, Britania nuk kërkon një marrëveshje të stilit të Zvicrës apo Norvegjisë, pasi kjo do të kërkonte që vendi të dorëzonte gjithsesi një pjesë të kontrollit për sa i përket politikës së emigracionit. Nënshtrimi ndaj juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që liderët britanikë e kanë akuzuar vazhdimisht për dhënie të gjykimeve të veshura me interes, nuk është absolutisht një mundësi.
Por Bashkimi Europian nuk është aspak i gatshëm të lejojë Britaninë e Madhe të heqë dorë vetëm nga gjërat që nuk i pëlqejnë, të paktën jo pa paguar një çmim të mirë për këtë. Liderët europianë këmbëngulin se Britania e Madhe nuk mund të përfitojë nga tregtia e lirë dhe tregu i përbashkët pa lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Kjo kokëfortësi ngrihet nga frika se, nëse Britanisë i ofrohet një marrëveshje kaq joshëse, edhe vendet e tjera europiane mund të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë.
Por dëshira për të ndëshkuar Britaninë, jo vetëm parandalimi i vendeve të tjera për të kërkuar largimin gjithashtu, është një tjetër faktor kontribues. Kjo qasje është tërësisht e gabuar. Edhe pse është pa dyshim fatkeqësi që Britania e Madhe po largohet nga Bashkimi Europian, e vërteta është se tregtia e lirë me BE-në nuk ka pse të shoqërohet domosdoshmërisht nga lëvizja e lirë e njerëzve siç tregojnë teoritë e pastra të tregtisë efektet ekonomike dhe përfitimet që burojnë nga tregtia e lirë, zëvendësohen, nuk përmirësohen, nga lëvizja e lirë e fuqisë punëtore.
Nëse emigracioni nuk është i mundur, strukturat e ndryshme të pagave ka më shumë gjasa të ngrihen ndërmjet vendeve – duke dhënë struktura të ndryshme çmimesh për to. Këto diferenca rrisin përfitimet nga tregtia e madhe, shfrytëzimi i tyre është i gjithë kuptimi i tregtisë së lirë. Nëse Bashkimi Europian refuzon të ruajë regjimin e tregtisë së lirë me Britaninë e Madhe, qytetarët europianë do të vuajnë nga kjo po aq sa ata britanikë.
Argumenti se edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian mund të kërkojnë të ndjekin shembullin e Britanisë është i dyshimtë. Ekzistojnë dy lloje komunitetesh politike. Njëri plotëson kriteret e optimalitetit Pareto: pasi komuniteti i merr vendimet unanimisht – ose të paktën duke aderuar në rregullat për të mbrojtur minoritetet – dhe implementon masa për të ofruar avantazhe për disa ose për të gjithë anëtarët dhe duke mos sjellë disavantazhe për asnjë. Kjo qasje do të thotë se vendet nuk janë duke luftuar për një copë më të madhe torte në kurriz të të tjerëve. Në fakt, ata punojnë së bashku vullnetarisht për të garantuar që torta të rritet gjithmonë e më shumë dhe të gjithë të marrim pjesën që i takon.
Lloji tjetër i komunitetit karakterizohet, fillimisht nga rishpërndarja e burimeve ndërmjet vendeve dhe së dyti, nga mazhoranca e vendimmarrjes. Këtu ka humbës dhe fitues, pasi mazhoranca mund të imponojë preferencat e saj, edhe nëse përfitimet që marrin anëtarët eklipsohen nga humbjet që i shkaktohen minoriteteve. Rezultati është që torta bëhet gjithmonë e më e vogël dhe disa vende përfundojnë të bëhen të pakënaqur.
Lloji i dytë është pa dyshim më i paqëndrueshëm, për shkak se humbësit kanë tendencën të largohen. E vetmja mënyrë për t’i mbajtur është ta bësh largimin të duket sa më pak joshës – le të themi duke i ndëshkuar ata. Duke kërkuar që ta bëjë Britaninë e Madhe shembull për vendet e tjera, Bashkimi Europian është duke dërguar mesazhin se në këtë union, disa vende janë të destinuara të humbin.
Për të shmangur një rezultat të tillë, Bashkimi Europian duhet të transformojë veten nga bashkimi rishpërndarës, të drejtuar nga mazhoranca, tek bashkimi optimal dhe vullnetar të drejtuar nga unanimiteti. Hapi i parë për ta arritur këtë është të krijohet një plan për të instaluar një ministër Financash të përbashkët për Bashkimin Europian që të drejtojë autoritetin me pushtet autonom taksimi. Hapi tjetër është t’i ofrojë Britanisë së Madhe një marrëveshje të tregtisë së lirë që do të sjellë përftime për të dy palët.
Nëse Bashkimi Europian nuk arrin të ndryshojë qasjen ndaj Brexit, rrezikon të kthehet në një komunitet jo konsensual, ku vetëm disa anëtarë janë të lumtur dhe të tjerët duan të largohen. Edhe pse ndëshkimet dhe masat e tjera imponuese mund t’i mbajnë vendet anëtare nën kontroll për pak kohë, kjo qasje mund ta bëjë Bashkimin Europian të dobët përballë destabilizimit.
Europa, me pak fjalë, mund të përfundojë duke vuajtur të njëjtin fat të Bashkimit Sovjetik. Asnjë marrëdhënie e frytshme nuk mund të lindë në një komunitet ku vendet anëtare ndihen të futur të grackë. Bashkimi Europian nuk është ndryshe. Sado kundërproduktive të duket kjo, e vetmja mënyrë për ta mbajtur Bashkimin Europian të bashkuar është ta lësh Britaninë të largohet me kushte sa më të kënaqshme.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI