Stefan Fröhlich
Pasi presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar të shikojë fillimisht interesat e brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe të mbajë një pozicion të tërhequr në lidershipin global dhe me Mbretërinë e Bashkuar në mes të një divorci të ndërlikuar nga Bashkimi Europian, Gjermania është vendi që po shihet si pushteti qendror ekonomik dhe politik i Europës. Kur gjatë fjalimit të famshëm të presidentit gjerman, Joachim Gauck, në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2014 ai tha “Le të mos mbyllim njërin sy”, ai po sinjalizonte se vendi i tij nuk duhej t’i shmangej kërcënimeve, por duhet të qëndronte në këmbë.
Që atëherë Gjermania ka shfaqur angazhimin e saj për të garantuar vetë sigurinë e vendit dhe të kontinentit, ka rënë dakord që të rrisë gradualisht shpenzimet ushtarake për të arritur vlerën e kërkuar nga NATO prej 2 për qind të GDP-së dhe për të krijuar një sistem sigurie të besueshëm europian. Gjermania mori vendimin e njëanshëm në fillim të vitit 2015 për të dërguar Bundeswehr në mision stërvitor në veri të Irakut dhe për t’u bashkuar me fushatën ushtarake kundër Shtetit Islamik, pasi Franca i bëri thirrje klauzolës së Traktatit të Lisbonës për mbrojtje të përbashkët pas sulmeve terroriste në Paris gjatë nëntorit të vitit 2015.
Berlini ka vazhduar të menaxhojë krizën e periferisë jugore të Europës, në Siri dhe Irak, duke u kthyer në një partner të besueshëm për Washingtonin në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ishin veçanërisht të dobët nën drejtimin e ish-presidentit Barack Obama. Tani, europianët e shqetësuar për fatin e rendit liberal dhe marrëdhënies transatlantike shpresojnë që Gjermania të ngjitet në rolin e lidershipit dhe të marrë vendin e Shteteve të Bashkuara, por kjo ngjason më shumë me një ëndërr se sa me realitetin.
Gjermania është e shqetësuar edhe për krizat e shumta brenda vendit, si dhe në fqinjësinë e saj dhe nuk mund ta zëvendësojë Amerikën si hegjemoni liberale botërore për vetë arsyen e thjeshtë sepse nuk është e tillë. Në vitin 2015, Berlini kishte një buxhet mbrojtjeje të barabartë me një të 20-ën e atij të Shteteve të Bashkuara, sipas Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, nuk është një superfuqi bërthamore dhe ka ambicie relativisht më të vogla për të ofruar të mirën e përbashkët në arenën globale krahasuar me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Gjermania nuk është një nga ato vende që vetëkënaqet dhe ka shumë gjëra që mund të bëjë për të garantuar që Europa të qëndrojë e bashkuar, veçanërisht për çështjen e mbrojtjes. Për herë të parë që pas bashkimit, Gjermania është zotuar të rrisë shpenzimet ushtarake, një rritje prej 8 për qind që nga viti 2016 dhe është duke vënë në lëvizje mekanizmat për të garantuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Europian për çështjen e mbrojtjes. Në fakt, edhe pse Gjermania ka pak gjasa të zërë vendin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen europiane, së bashku me partnerët e saj mund të përfitojnë shumë nga paralajmërimet e presidentit Trump, i cili i shtyn të kapërcejnë ngërçin europian të mbrojtjes.
Qasje e dyfishtë
Në një konferencë për shtyp të përbashkët javën e kaluar, kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti amerikan, Donald Trump thanë se do ta mbështesnin NATO-n 100 për qind. Megjithatë, nëse fjalët që presidenti Trump ka thënë gjatë fushatës reflektohen në politikat e tij si president, mbështetja e Shteteve të Bashkuara për aleancën transatlantike mund të tkurret dhe të kërkohet një afrim me Rusinë. Nga njëra anë kjo mund t’i japë Rusisë mundësinë për t’u imponuar më shumë në Europën Lindore dhe do t’i jepte fund shpresës së Ukrainës për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Por nga ana tjetër, Rusia duket se nuk ka asnjë interes dhe qëllim për të provokuar asnjë anëtar të NATO-s apo t’i bëjë thirrje nenit 5, klauzola e mbrojtjes kolektive, duke qenë se kriza e Ukrainës shërbeu si shtysë për të rritur bashkëpunimin ndërmjet organizatës në vitin 2014. Moska nuk i ka mjetet ushtarake dhe ekonomike për të luftuar kundër NATO-s, gjë që do të thotë se Gjermania duhet të shqetësohet më shumë për përdorimin e mjeteve të luftës hibride të Moskës në rajon.
Kundërpërgjigjja më efektive e Berlinit në këtë skenar është që të vazhdojë strategjinë e qasjes së dyfishtë, duke u shfaqur herë i egër dhe herë mirëkuptues me Moskën. Berlini ka shfaqur vullnet dhe zotësi të mirë për të bindur partnerët europianë që të vazhdojnë të mbajnë sanksionet kundër Rusisë, madje edhe për t’i shtuar ato, pas ndërhyrjes së Moskës në Siri, edhe në rast se Shtetet e Bashkuara do të vendosin t’i heqin sanksionet e tyre.
Nga ana tjetër, Gjermania duket mëse e predispozuar për momentin që të zgjerojë më tej integrimin europian në Lindje dhe të pranojë kështu sferën e influencës së Rusisë në Azinë Qendrore, Kaukaz dhe mbi të gjitha në Ukrainë. Edhe NATO mund të përpiqet të akomodojë një pjesë të interesave ruse duke hequr dorë nga zgjerimi dhe ndoshta nga ndërtimi i sistemit të sigurisë në Rumani dhe Poloni, që është planifikuar për vitin 2018. Ka shumë politikanë gjermanë të gatshëm për t’i mbështetur këto hapa. Ata besojnë se mbrojtja raketore europiane lidhet ngushtë me bisedimet e ardhshme ushtarake me Rusinë, të cilat janë frenuar gjatë viteve të fundit për shkak se të dy palët ndjekin programet e modernizimit të fuqisë bërthamore.
Këto marrëveshje i përçojnë Moskës mesazhin e qartë se tërheqja nuk do të bëhet në shenjë dobësie, në rast se Rusia do të vendosë të rrisë tensionet në Europën Lindore dhe të testojë kufijtë e administratës së re amerikane. Kështu, europianët, me në krye Berlinin dhe Parisin, do të duhet të ndërtojnë dhe rinovojnë planet ekzistuese për një forcë ushtarake të përhershme dhe më eficente të Bashkimit Europian, si dhe të zhvillojnë një plan për të ardhmen e vendeve baltike dhe të Europës Lindore.
Këtu duhet të përfshihen të paktën angazhimet serioze për të kontribuar 2 për qind të GDP-së së çdo shteti anëtar të Bashkimit Europian në NATO, ashtu siç ka kërkuar edhe presidenti Trump. Duhet të përfshihet plani i mbështetjes së Komisionit Europian nga ana e Berlinit për të shpërbërë të gjitha strukturat dhe njësitë e tepërta të mbrojtjes europiane. Pothuajse 80 për qind e prokurimeve të mbrojtjes zhvillohet kryesisht në bazë kombëtare, gjë që çon drejt dublikimit të kostos për kapacitetet ushtarake (një shpenzim prej 27 deri në 107 miliardë dollarë në vit, sipas Komisionit Europian). Duhet të përfshihen edhe investimet strategjike në drone, rifurnizimit në ajër, komunikimit satelitor dhe sigurisë kibernetike, gjëra që deri tani janë ofruar falas nga Washingtoni për çdo operacion ushtarak europian, madje edhe në Libi, mision ku Franca dhe Mbretëria e Bashkuar morën në dorë lidershipin brenda NATO-s.
Berlini ka qenë gjithashtu një propozues kryesor për zhvillimin e planifikimit civil dhe ushtarak për menaxhimin e krizave dhe ndërtimin e selive ushtarake të Bashkimit Europian për t’u përgatitur për kërcënime të ndryshme dhe nga ku mund të zhvillohen dhe koordinohen operacionet civile dhe ushtarake. Së fundi, përpjekjet e vazhdueshme të Berlinit për të kontribuar në mbrojtjen e NATO-s në vendet baltike dhe Poloni – një hap më tepër se simbolik duke qenë se ushtarët gjermanë ndodhen në vijën e parë të konfliktit të armatosur – deri tani është përballuar me skepticizëm, por kohët e fundit duket se po mirëpritet në Europë, duke parë nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë për çështjet e mbrojtjes.
Partneritete më të forta
Por Gjermania nuk mund të ecë dot përpara pa partneritetin e Francës në Bashkimin Europian. Së bashku, këto dy shtete duhet të marrin në dorë drejtimin e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Europë, për ta bërë atë më operacionale. Berlini mund të marrë në konsideratë propozimet e Parisit për të hequr shpenzimet ushtarake nga llogaritja e deficitit buxhetor, gjë që do ta lejonte Francën që të rrisë shpenzimet ushtarake pa shkelur Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së për kufizimet e deficitit, si dhe të krijojë një fond të mbrojtjes europiane që do t’i lejonte partnerët të kanalizojnë investimet.
Edhe pse rritja e kapacitetit të mbrojtjes bërthamore të Europës duket si diçka e paarritshme, është e mundur që Franca ta marrë në konsideratë më seriozisht mundësinë pasi Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Europian. Armët bërthamore franceze dhe britanike kanë qenë pjesa thelbësore e strategjisë së mbrojtjes bërthamore të Europës së pas Deklaratës së Otavës në vitin 1974 të NATO-s, në të cilën dy fuqitë bërthamore shprehën vullnetin për të kontribuar në forcimin dhe mbrojtjen e përbashkët të aleancës. Që kur Gjermania ka vendosur të mos të zhvillojë dhe kërkojë armë bërthamore nën Traktatin e Mospërhapjes dhe Traktatin Dy Plus Katër, ka gjasa të jetë e gatshme të paguajë për të përfituar nga mbrojtja franceze dhe do të përpiqet të mbajë Mbretërinë e Bashkuar të përfshirë në planet europiane të mbrojtjes bërthamore.
Forcimi i gjithë këtyre elementëve i shërben dy qëllimeve të gjermanëve dhe francezëve: të bindin Washingtonin që të mos reduktojë mbështetjen në NATO duke rritur shpenzimet e tyre ushtarake për mbrojtjen kolektive dhe të projektojnë pushtetin në rajon, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të mbajnë një pozicion më të tërhequr në Lindjen e Mesme. Në fakt, argumenti kryesor i Gjermanisë për të ruajtur strukturat e përbashkëta të Bashkimit Europian është që Europa të luajë një rol më të rëndësishëm në stabilizimin e Lindjes së Mesme dhe kontinentit të Afrikës – misione ekstremisht të rëndësishme për të luftuar terrorizmin dhe krizën e refugjatëve në rajon.
Duke qenë se Gjermania është sot më e gatshme të marrë në dorë lidershipin ushtarak dhe nëse merr mbështetjen e duhur të partnerëve europianë, ka shumë mundësi që klima aktuale politike t’i bashkojë më shumë vendet europiane, veçanërisht Francën dhe Gjermaninë, madje edhe me Mbretërinë e Bashkuar pas largimit. Europa nuk do të shpërbëhet përpara pasigurive të së ardhmes dhe Gjermania është gatshme të ngrihet për ta garantuar këtë.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI