A ka vërtet nevojë për patriotizëm në epokën e globalizmit?

NGA ADRI NURELLARI 

Shpesh kur diskutoj ose sh kruaj për nevojën e ringjalljes së patriotizmit shqiptar, përballem me komente tallëse që e konsiderojnë atë si një ndjenjë të tejkaluar, si një relike të panevojshme në epokën e shekullit të 21…

Në globalizmin e sotshëm, patriotizmi shpesh trajtohet si një emocion i dalë mode, që s’ka vend në një botë që përpiqet të sheshojë kufijtë kombëtarë dhe të promovojë një identitet më të gjerë kozmopolitan, duke e eklipsuar përkatësinë kombëtare. Këtu ngrihen dy pyetje thelbësore që kërkojnë një analizë të thelluar dhe serioze: në rrafshin më universal, a ka vend për patriotizëm në epokën e globalizmit; në rastin e vendit tonë, a po kërcënohet edhe identiteti kombëtar shqiptar nga kozmopolitanizmi i tepërt i epokës ku po jetojmë?

Në rastin e parë, pra a mund të bashkëjetojë patriotizmi me vlera universale si liria e demokracia, Zhan Zhak Ruso, që prej shekullit të 18-të, e konsideronte patriotizmin si një forcë të domosdoshme për stabilitetin e shoqërisë dhe funksionimin e demokracisë duke lënë të kuptohet se bashkëjetesa ishte e mundur. Në kryeveprën e tij “Kontrata Sociale”, ai shpjegon se lidhja mes qytetarëve dhe atdheut të tyre ndihmon në ndërtimin e një demosi të përbashkët, duke krijuar një bazë për unitet dhe legjitimitet. Madje, ai argumentonte se patriotizmi jo vetëm që është i përputhshëm me lirinë, pluralizmin dhe paqen, por është thelbësor për t’i garantuar ato. Mirëpo njëherazi na paralajmëron për rrezikun e tij nëse merr forma ekstreme dhe nuk ruhet ekuilibri midis dashurisë për atdheun dhe respektit për të tjerët. Kanti gjithashtu e trajtonte patriotizmin si një detyrë morale, por ishte kritik ndaj formave të skajshme të patriotizmit, duke predikuar për një “patriot kozmopolitan” që përqafon vlera universale dhe nuk është i kufizuar vetëm te kombi.

Debate të ngjashme vazhdojnë të bëhen edhe sot me filozofë bashkëkohorë si Alasdair MacIntyre. Ai mendon se patriotizmi ngelet një virtyt që i ka rrënjët në ndjenjën e komunitetit dhe historisë së përbashkët, por paralajmëron kundër ekstremit të tij sikurse. Richard Rorty propozon një formë të patriotizmit progresiv që mund të bashkëjetojë me kozmopolitanizmin. Për Rortyn, një angazhim i tillë patriotik nuk e pengon bashkëpunimin ndërkombëtar, por e inkurajon atë, duke i bërë qytetarët të kontribuojnë jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për një botë më të mirë. Kuptohet që ka edhe filozofë që mendojnë ndryshe, sikurse është Martha Nussbaum, e cila mendon se patriotizmi bie ndesh me vlerat liberale dhe solidaritetit njerëzor.

Megjithatë, unë bashkohem plotësisht me ata që besojnë se një bashkëjetesë mes patriotizmit dhe liberalizmit jo vetëm që është e mundur, por është edhe e domosdoshme. Në fund të fundit, një paralelizëm të ngjashëm mund ta bëjmë edhe midis patriotizmit dhe demokracisë duke pasur parasysh se demokracia gjithashtu e ka të mundur bashkëjetesën me liberalizmin, pavarësisht tensioneve të natyrshme që kanë mes tyre. Në një demokraci, vendimet mund të merren nga shumica, ndërsa liberalizmi kërkon mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, edhe nëse kjo mund të jetë kundër vullnetit të shumicës. Ashtu si patriotizmi ekstrem mund të çojë në ksenofobi apo agresion, edhe demokracia e pakontrolluar mund të shndërrohet në “tiraninë e shumicës”.

Mirëpo, për t’iu përgjigjur pyetjes së dytë, në rastin e shqiptarëve nuk bëhet fjalë për një lëvizje avancuese prej identitetit kombëtar drejt një identiteti global kozmopolitan, por për një regres nga identiteti kombëtar drejt identiteteve sektariane, fetare, krahinore apo fisnore që janë tipike për shoqëritë proto-moderne. Para modernizmit dhe ngritjes së shtetit kombëtar, identitetet në gjithë Evropën, ishin shpesh të lidhura me komunitete, rajone, përkatësi fetare ose pozitat brenda sistemit të rregulluar të klasave shoqërore. Sistemet feudale dhe dinastike ishin gjithashtu të rëndësishme, me njerëz që shpesh identifikoheshin me lordin feudal (bujkrobë apo vasalë të të cilëve ishin) apo dinastinë sunduese sesa me tipare kulturore. Shto këtu që një tjetër burim i rëndësishëm i identitetit ishin shoqatat profesionale, gildet apo esnafet. Të gjitha këto u eklipsuan me formimin e identitetit kombëtar dhe lindjen e shtet-kombit. Këtu padyshim që ka një debat të madh mes studiuesve për burimin e identitetit kombëtar, ku Anthony Smith argumenton se identiteti kombëtar buron nga rrënjët etnike dhe trashëgimia historike; Ernest Gellner e sheh nacionalizmin si një konstrukt modern që shërben për unifikimin kulturor në shoqëritë industriale; Benedict Anderson e përkufizon kombin si një “komunitet të imagjinuar” të krijuar nga media dhe arsimi; Clifford Geertz fokusohet te roli i kulturës dhe simboleve që ndërtojnë një identitet të përbashkët kombëtar, ndërsa psikologët Henri Tajfel dhe John Turner mendojnë se identiteti kombëtar buron nga tendenca e individëve për të kategorizuar veten dhe të tjerët në grupe sociale, si “ne” dhe “ata.”

Pavarësisht këtyre debateve akademike, pak a shumë të gjithë pajtohen se me ngjizjen e identiteteve kombëtare, shoqëritë pësuan një evolucion të mirëfilltë. Pra, në vend të ndarjeve të ngurta të klasave, besimit, rajonit dhe pushtetit të trashëguar, shoqëritë moderne filluan të mbështeteshin në një koncept të përbashkët të identitetit kombëtar dhe patriotizmit, ku individët ndjeheshin të lidhur përmes territorit, gjuhës, kulturës dhe traditave të përbashkëta. Ndërkohë që autoriteti kalonte nga monarkia dhe kisha te shteti kombëtar, individët filluan të përqafonin një ndjenjë të re të përkatësisë që përcaktohet nga kombi dhe jo thjesht nga pozita sociale, feja, trashëgimia familjare apo elementët e tjerë sektarianë.

Sot që flasim, identiteti kombëtar dhe patriotizmi është duke u zbehur në shumë vende perëndimore kryesisht për shkak të kalimit në post-modernizëm, i cili sjell edhe rritjen e tendencës kozmopolitane. Post-modernizmi, duke kritikuar dhe dekonstruar narrativat e mëdha dhe homogjenitetin kulturor, promovon një qasje pluraliste dhe të larmishme ndaj identitetit, që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe favorizon lidhjet globale dhe diversitetin kulturor. Kjo tendencë nxjerr në pah përfshirjen në vlera universale dhe përqafimin e një identiteti më fleksibël dhe të hapur, duke u larguar nga uniformiteti kulturor kombëtar dhe duke vendosur fokusin te solidariteti, ndërlidhja dhe ndërvarësia ndërkombëtare.

Mirëpo kjo nuk vlen për ne. Thënë ndryshe, shqiptarët nuk janë duke evoluar prej një identiteti kombëtar drejt një identiteti kozmopolitan global, por janë duke bërë regres prapa në kthim tek përçarja, sektarizmi apo atomizimi i shoqërisë. Këtë gjë më së miri e dëshmojnë të dhënat e Anketës së Vlerave Botërore, të cilat e rendisin Shqipërinë të fundit në Evropë dhe të dytën në botë, për nivelin e besimit ndërpersonal. Me vetëm 2.8% që i përgjigjen pozitivisht pyetjes “A mendoni se shumica e njerëzve mund të jenë të besueshëm?”, Shqipëria është në kontrast të mprehtë me vendet nordike si Finlanda (69.8%), Danimarka (74.1%) apo Norvegjia (72.8%), ku qytetarët masivisht besojnë te njëri-tjetri dhe njëherazi kanë të përqafuara si pak të tjerë vlerat universale dhe tiparet kozmopolitane. Kjo temë meriton shtjellim më vete, por vlen të përmendet si ilustrim i copëzimit të shoqërisë sonë, gjë që ka qenë një sfidë historike që prej Rilindjes Kombëtare. Me pak fjalë, për shqiptarët, uniteti kombëtar është më shumë se një ideal është mburoja e vetme përballë ndikimeve përçarëse.

Në këtë kontekst, Shqipëria ka një histori të gjatë të pushtimeve dhe ndikimeve të shumta të huaja, gjë që ka çuar në një fragmentizim të identitetit, në një pluralizëm të theksuar kulturor dhe në forcimin e identiteteve lokale. Një tjetër element sektarian ka qenë organizimi fisnor dhe kanunet si themele të organizimit shoqëror në zona malore të izoluara të Shqipërisë si Dukagjini, Labëria, Dibra, Luma, Malësia e Madhe etj. Ky organizim i fortë dhe lojaliteti i ngushtë ndaj fisit e bëri të vështirë krijimin e një identiteti të gjerë kombëtar, pasi individët ndiheshin më të lidhur me fisin sesa me një ide më abstrakte të kombit. E njëjta vlen edhe për lidhjet me bejlerët lokalë apo të parët e zonës. Këto identitete krahinore janë krijuar edhe për shkak të diversitetit të madh gjeografik me terrene të vështira malore e lumenj të rrëmbyeshëm që vështirësonin komunikimin mes zonave të ndryshme.

Identiteti i fragmentuar fetar gjithashtu ka qenë dhe vazhdon të jetë një rrezik për kohezionin identitar kombëtar shqiptar. Institucionet fetare dhe kleri në shumë raste u instrumentalizuan nga interesat e vendeve të huaja, duke u përdorur për të ndikuar dhe kontrolluar komunitetet fetare brenda Shqipërisë, një praktikë që deri diku, fatkeqësisht, vazhdon edhe sot. Këto ndërhyrje i shërbejnë interesave të jashtme dhe sfidojnë unitetin kombëtar, duke krijuar ndasi të theksuara midis komuniteteve fetare dhe identitetit kombëtar. Këtu nuk duhen harruar edhe politikat dashakeqe të asimilimit që po vazhdojnë ende sot me helenizimin e ortodoksëve të jugut apo boshnjakëzimin e shqiptarëve të Plavës, Gucisë dhe Rozhajes. Për më tepër, gjatë gjithë historisë, shqiptarët janë përballur me politikat e asimilimit nga fqinjët tanë dhe rajone të tëra janë asimiluar pothuajse totalisht, sikurse janë shqiptarët ortodoksë të ish-Jugosllavisë dhe Greqisë si dhe shqiptarët e ish-Sanxhakut të Pazarit të Ri në Serbi.

Gjatë fundit të shekullit të XIX e fillimit të atij të XX, etërit themelues të kombit tonë u përpoqën të kapërcenin këto ndasi sektariane dhe ia dolën të promovonin idenë e një identiteti kombëtar të përbashkët si ombrellë e të gjitha identiteteve periferike. Pra, lëvizja jonë rilindëse, ndryshe nga popujt e tjerë të rajonit që u bazuan te kisha kombëtare (dhe eliminuan komshinjtë që kishin fe tjetër, por traditat dhe gjuhën e njëjtë), përqendrohej te bashkimi i shqiptarëve përtej krahinave, feve dhe fiseve dhe përpjekja për të krijuar një ndjenjë të përbashkët të shqiptarisë. Kjo lëvizje pati sukses në mobilizimin e shqiptarëve rreth flamurit, gjuhës dhe identitetit kombëtar, duke krijuar themelet e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, ndasitë e thella vazhduan të ishin pengesë dhe përpjekjet për të bashkuar vendin përballeshin shpesh me ndjenjën e fortë të lidhjes ndaj grupeve sektariane. Sot fatkeqësisht nuk po kërcënohemi nga globalizimi por nga të njëjtat sfida që ballafaquan rilindasit.

Prandaj, mund të thuhet se patriotizmi shqiptar mbetet një komponent jetik për të ruajtur unitetin kombëtar në një kohë kur po sfidohet më shumë nga sektarianizmi sesa nga globalizmi. Në një botë që gjithnjë e më shumë promovon një identitet të larmishëm dhe kozmopolitan, mbetet thelbësore që ne shqiptarët ta pasurojmë këtë festival ngjyrash me identitetin tonë unik. Patriotizëm sot, nuk do të thotë të refuzojmë vlerat universale apo të ndërtojmë mure ndaj botës së jashtme. Përkundrazi, është një thirrje për të përqafuar botën duke ruajtur njëkohësisht atë që na bën shqiptarë si dhe për të konsoliduar një shtet-komb modern që kapërcen ndasitë sektariane e krahinore dhe integrohet e ndërvepron me dinjitet në orkestrën e shteteve. Na duhet të rizbulojmë dhe të kultivojmë atë ndjenjë të përbashkët që mbizotëronte në zemrat e rilindësve tanë, atë dashuri të pastër për tokën, gjuhën dhe kulturën tonë, një dashuri që mund të përballet me çdo kërcënim apo tundim përçarës. Kjo përkatësi nuk është kundër lidhjeve globale, por është baza që na jep vlerë dhe forcë për t’u hapur me krenari ndaj botës, pa humbur veten në këtë proces. Vetëm kështu, duke qëndruar të bashkuar dhe duke kujtuar rrënjët tona, mund të ndërtojmë një të ardhme të begatë e një shtet funksional, ku shqiptarët ndihen krenarë për atë që janë dhe e shohin. /Gazeta Panorama

Exit mobile version