Shpërbërja e qeverisë gjermane, çfarë pritet të ndodhë! Zgjedhjet e reja dhe skenaret, a do të ndikojë kriza politike në angazhimin e vendit në botë?

Koalicioni qeveritar në Gjermani me SPD-Të-Gjelbrit- FDP tani i përket historisë. Ky koalicion u shpërbë të mërkurën (06.11.), për shkak të mosmarrëveshjes për politikën e duhur ekonomike për ta rigjallëruar ekonominë gjermane. 

Kancelari Olaf Scholz kishte paraqitur të mërkurën për miratim, në një mbledhje të komisionit të koalicionit, një dokument me vendime. Dokumenti kërkonte të pranohej se Gjermania po përjeton një situatë emergjente. Kjo do të justifikonte juridikisht marrjen e një borxhi dyshifror miliardash nga qeveria. Në situata emergjente frena kushtetuese për borxhin lejohet të shkelet. (Tre miliardë euro nga borxhi 15 miliardë euro u tha se do të përdoreshin për të shtuar ndihmën për Ukrainën).

Dokumenti i kancelarit ishte përgjigje ndaj kërkesave të së premtes së kaluar (01.11.) të ministrit të Financave, Christian Lindner, kur me një dokument 18 faqesh Lindneri kërkoi papritur një kthesë radikale ekonomike: shkurtime masive të shpenzimeve dhe ulje taksash.

Por Lindneri, nga partia më e vogël liberale FDP, nuk i pranoi të mërkurën propozimet e kancelarit. Kjo megjithë katër përpjekjet për kompromis nga kancelari që prej së hënës, në takime treshe edhe me përfaqësuesin e Të Gjelbërve, Robert Habeck. Linderi nguli këmbë në përgatitje të përbashkëta për të shkuar „me rregull e dinjitet” në zgjedhje të parakohshme në janar.

Motivimi dhe kronologjia e ngjarjes

Refuzimi i fundit i ministrit të Financave e bëri “të patolerueshme” situatën për kancelarin Scholz. Olaf Scholzi vendosi të jetë ai që ta kontrollojë procesin. Ai i kërkoi Presidentit të Gjermanisë lirimin nga detyra të ministrit të Financave, Christian Lindner.

Në një deklaratë para medieve të mërkurën në mbrëmje Scholzi tha se Lindneri e “kishte shkelur shumë herë besimin e tij”.  Ai kishte “bllokuar ligjet për shkaqe që nuk kishin të bënin me përmbajtjen”.  Dhe kishte ndjekur “shumë shpesh një politikë të ngushtë partiake”. Kancelari tha se “kushdo që në një situatë të tillë refuzon…një ofertë kompromisi, vepron në mënyrë të papërgjegjshme”. Në vazhdim, qeverinë e braktisën edhe dy ministra të tjerë liberalë të FDP-së.

Tronditje dhe lehtësim në Gjermani

Të premten (08.11.) shumë gjermanë shprehen në medie të lehtësuar, që mori fund ajo që përjetohej si një ecje e frenuar, apo edhe si paralizë në qeverinë në Berlin. Kështu janë shprehur edhe përfaqësues të socialdemokratëve dhe të liberalëve të FDP. Në sondazhe të ndryshme të fundit, SPD mbetet stabile te 16%, FDP luhatet midis 3-5%. Llogaria e mundshme e Linderit, që partia e tij, e rrezikuar të mos hyjë në Bundestagun e ri (pragu është 5%), të shihet nga njerëzit si çliruese nga një koalicion qeveritar jo popullor, deri tani nuk shpërblehet në sondazhe.

Të mërkurën në mbrëmje dhe pjesërisht të enjten mbizotëronin, megjithatë, opinione të tronditura. Kjo kishte të bënte me ditën kur u shpërbë qeveria: e mërkura ishte dita kur Donald Trumpi u rizgjodh qartë President i SHBA. Rizgjedhja e Trumpit ka shkaktuar pasiguri në BE dhe veçanërisht në Gjermani: për politikat ekonomike dhe të sigurisë që do të ndjekë Trumpi. Në një deklaratë të posaçme dje (07.11.) Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u ndje i detyruar të kujtojë se “fundi i një koalicioni nuk është fundi i botës…”. Ai foli njëkohësisht për „orë dramatike” për Gjermaninë.

Koalicioni qeveritar në Gjermani ishte jo shumë popullor, për shkak të fërkimeve publike. Dramatikën e solli përkimi i zhvillimeve në SHBA me ngjarjen e rrallë për Gjermaninë: rënien e qeverisë para fundit të legjislaturës, pasi kancelari Scholz shkarkoi në mënyrë spektakolare ministrin liberal të Financave.

Zgjedhjet e parakohshme – të rralla në historinë e RFGJ

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të pazakonta në vende të tjera evropiane. Por Gjermania ka qenë gjithë këto vite simbol i stabilitetit politik. Presidenti Steinmeier kujtoi se në 75 vjet Republikë Federale të Gjermanisë janë shumë të pakta rastet, kur një qeveri gjermane e ka humbur shumicën parlamentare ende pa mbaruar legjislatura.

Në mendje na vjen rasti i mbi 40 vjetëve më parë: kur socialdemokratët e kancelarit Helmut Schmidt e humbën shumicën gjatë legjislaturës. Sepse liberalët e FDP-së me Hans-Dietrich Genscher dhe Otto Graf Lambsdorff, braktisën, po për arsye ideologjike, qeverinë socialdemokrate.  Ata vendosën t’i bashkohen CDU-së së Helmut Kohlit. Prej vitit 1982,  CDU-ja me Helmut Kohlin dhe liberalët e FDP-së e qeverisën Gjermaninë për 16 vjet rresht.

Në vitin 2005, kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder, kërkoi votëbesimin pa nevojë, për të imponuar zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme erdhën, por Schröderi nuk përfitoi prej tyre, gjë për të cilën u nis. Në pushtet erdhi CDU me Angela Merkelin, e cila në koalicione të ndryshme e qeverisi Gjermaninë gjithashtu 16 vjet rresht.

Ndryshimi i situatës gjeopolitike solli presion mbi fondet

Krizat në botë, lufta në Ukrainë, inflacioni, çmimi i lartë i energjisë e shtuan presionin mbi fondet në Gjermani. Edhe mbi fondet që mund të ndaheshin nga qeveria Scholz.  Fondet në dispozicion për klientelat e ndryshme të secilës parti nuk mjaftuan më për të mbuluar dallimet ideologjike.

Kjo i rëndoi ndarjet ideologjike. Socialdemokratët e Të Gjelbrit flasin për kohë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë më shumë borxhe. Aq më tepër kur Gjermania është një shtet me borxhin më të ulët në Evropë : 63,7% (2023). Ndërsa liberalët e FDP-së duan që shteti të shpenzojë vetëm aq para sa merr nga taksat: siç e kërkon frena kushtetuese e Gjermanisë.

Të Gjelbrit, e pjesërisht edhe socialdemokratët, kërkojnë që shteti të ndërhyjë për zbatimin e politikave sociale dhe ekologjike. Ndërsa liberalët e FDP-së janë për tregun si rregullator ekonomik dhe për konkurrencën e lirë.

Zgjedhjet e reja dhe skenaret

Kancelari Scholz deklaroi të mërkurën në mbrëmje se do të kërkojë votëbesimin në 15 janar. Meqenëse pritet që ai ta humbë këtë votëbesim në Bundestag, Bundestagu do të shpërndahet, me dekret të Presidentit të Gjermanisë.

Brenda 60 ditësh, pra deri në fund të marsit, Gjermania duhet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare. Deri atëherë, kancelari Scholz tha se do të përpiqet të zbatojë disa projekte ligjore, si reformën e pensioneve apo miratimin e rregullave evropiane të azilit, me mbështetje nga parti të tjera për to.

Kancelari Scholz mund të përpiqet edhe të krijojë një koalicion të ri qeveritar, pa kaluar në zgjedhje. Por kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Friedrich Merz, e përjashtoi publikisht pjesëmarrjen në një qeveri me socialdemokratët e Të Gjelbrit.

19 orë pas largimit të liberalëve të FDP-së, Scholzi i plotësoi postet vakante ministrore: ngarkoi për të mbuluar dy dikastere njëherësh ministrat socialdemokratë dhe Të Gjelbër në qeveri. I vetmi ministër i ri, është ministri i Financave, Jörg Kookies, që ka qenë këshilltari ekonomik i kancelarit.

Presion për zgjedhje më të hershme parlamentare

Opozita CDU/CSU dhe disa parti kërkojnë që Scholz ta kërkojë menjëherë votëbesimin dhe që zgjedhjet të mbahen në janar. Sipas një sondazhi, edhe 65% e gjermanëve duan zgjedhje më të hershme. Kancelari Scholz sinjalizoi të premten (08.11.) se për datën e zgjedhjeve me të mund të diskutohet. Por kjo do të varej nga një dakordim me partitë e tjera “se cilat ligje ende mund të vendosen këtë vit”, tha Scholzi që nga Budapesti.

Po të mos dojë kancelari vetë, nuk e detyron dot askush për zgjedhje më të hershme. Në Gjermani nuk është e lehtë të imponosh zgjedhje të parakohshme. Për arsye të destabilizimit të Republikës së Weimar-it, në vitet 1930 nga nazistët e Hitlerit, në kushtetutën e Gjermanisë u fut pas luftës një element i veçantë. Neni 67, përmban të ashtuquajturin “mocion konstruktiv mosbesimi”.

Në të thuhet se nuk mjafton që parlamentarët ta shkarkojnë me shumicë 2/3 kancelarin. Por njëkohësisht ata duhet të zgjedhin, me shumicë absolute, edhe një kancelar të ri. Kështu ndodhi në vitin 1982.

Por në Bundestagun aktual, raportet aktuale përjashtojnë që deputetët e tjerë, jashtë partive ende në qeveri, të arrijnë shumicë për një kancelar të ri. Ata kanë gjithsej 325 mandate, nga 733 deputetë në Bundestag.

A do të ndikojë kriza politike në angazhimin gjerman në botë?

Situata e papritur në Gjermani përpin shumë burime njerëzore: tani shkruhen me shpejtësi programe partiake për zgjedhjet; politikanët duhet të vendosin papritur për karrierat e tyre, p.sh. a duan të rikandidojnë apo jo, e kështu me radhë.

Por për politikën e jashtme, si ministrja e Gjelbër e Jashtme Analena Baerbock, ashtu edhe kancelari janë edhe për disa muaj (apo për disa javë) në post.

Gjermania ka rregulla edhe për situata të tilla pezull, që zakonisht janë pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Parimi drejtues është që të gjitha masat, tashmë të miratuara nga qeveria, është e detyrueshme të zbatohen. Edhe kur bie qeveria.

Kjo ka të bëjë në radhë të parë me financimin e masave. Për mbështetjen e Ukrainës, p.sh. shumë fonde janë miratuar.

Por edhe në politikën e brendshme: shteti nuk kërcënon të bllokohet, si në SHBA. Edhe po të mos miratohet buxheti i vitit 2025, një shkak tjetër i kolapsit të koalicionit qeveritar në Gjermani.

Rregullat gjermane përcaktojnë që edhe në këtë fazë, shteti të shpenzojë aq sa ka shpenzuar në të njëjtin muaj, një vit më parë. Pra financimi p.sh. i pagave dhe i sektorëve të ekonomisë vazhdon normalisht. /DW

Exit mobile version