Myqerem Tafaj
Nëse institucionet përgjegjëse do të vërtetojnë kërcënimin që i është bërë Prof. Dh. Kules dhe Prof. M. Konit, për garën zgjedhore në UT, kjo do të thotë se zgjedhjet në universitetet publike kanë rënë.
Kjo do të ishte një ngjarje e paprecedentë për komunitetin akademik të një vendi demokratik. Nëse vërtetohet kërcënimi i bërë publik sot, sjellja normale në çdo vend të lirë, do të ishte që komuniteti akademik nuk duhet të pranojë kurrsesi zhvillimin e zgjedhjeve dhe duhet t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë një zgjidhje urgjente kushtetuese, e cila garanton autonominë dhe lirinë akademike të universitetit, si dhe eviton ndërhyrjen brutale të qeverisë në zgjedhjen ose përzgjedhjen e drejtuesve dhe organeve kolegjiale të universitetit publik.
Eshtë shumë e rëndësishme të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Roli kryesor për këtë i takon vetëm dhe vetem komunitetit akademik. Një rol të madh mund të luajnë edhe partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Delegacioni i BE, OSBE dhe Konferenca e Rektorëve e Europës. Nëse një vend nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitete, që janë qendra të gjenerimit të demokracisë, a mund të pritet të përmbushë standardet europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme për Kuvendin e Shqipërisë?
Komuniteti akademik nuk duhet të pranojë quasi-zgjedhje, por vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme në universitetet publike, që mundësojnë përzgjedhjen e personaliteteve me cilësitë më të spikatura akademike, me integritet dhe që gëzojnë besimin e pedagogëve dhe studentëve se vërtet mund të udhëheqin universitetet, fakultetet dhe departamentet në garën e dijes, kombëtare, rajonale dhe më gjèrë.
Dhënia pushtet kandidatëve mediokër, pa kontribute të njohura akademike, dhe për më keq, arrogantë e pa integritet, do të kishte rrjedhoja tejet negative për vetë universitetin, fakultetin apo departamentin, për studentët dhe për vetë pedagogët.
Pedagogët nuk duhet të harrojnë se fati i vendit të tyre të punës dhe pagës së tyre, me këtë ligjin e ri të çuditshëm, përcaktohet vetëm e vetëm nga “humori” i përgjegjësit të departamentit, dekanit, rektorit dhe komisarit politik që do të dërgohet direkt nga qeveria dhe quhet Administrator! Prandaj duhet bërë kujdes me votën!
Përveç këtij kërcënimi nga bota e errët mbi kandidatët, ekzistojnë edhe kërcënime të llojeve të tjera në këto zgjedhje. U bëhet presion pedagogëve dhe studentëve nga kandidatët për votën dhe, për më keq, kërcënime të tilla vijnë nga zgjatimet e qeverisë. Ose për votat bëhen premtime për emërime, grada dhe tituj!
Në këto kushte, është e vështirë të besohet se zgjedhjet në universitete do të jenë të lira dhe të ndershme. Shanset janë që ato të jenë vetëm quasi-zgjedhje, që nuk premtojnë asgjë për zhvillimin e universiteteve!