Si e përvetësoi Shullazi ish-hotel Vollgën

Pronësia e ish-hotel “Vollga” në qendër të qytetit të Durrësit është mbështjellë për momentin me mister se si një nga asetet kryesore të qytetit bregdetar është në dorë të Emiljano Shullazit.
Në kartelën e pasurisë, e bërë publike tashmë, konstatohet lëvizja e pronësisë gjatë viteve të fundit.
Nga informacionet e siguruar nga Boldneës.al, rezulton se në vitin 2003, me Vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronësia e ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë, ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa.
Pronarja e ligjshme, Alije Fortuzi, e shkuar në moshë dhe e vetme, prej vitesh ishte ndihmuar nga Hasa për kryerjen e nevojave të përditshme. Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit.
Gjithnjë duke parë dokumentin e publikuar, rezulton se po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer.
Boldneës.al ka mësuar se, për këtë kontratë shitjeje, trashëgimtari testamentar Zamir Hasa, ka ndjekur rrugën gjyqësore, pasi ka paraqitur pretendimin se është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive.
Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit. Në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.
Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator.
Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas, për të cilët ka dyshime mbi mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë, vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre.
Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company”, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit.
Nuk ka asnjë shpjegim se përse është bërë ky dhurim.

Exit mobile version