A rrezikohet siguria e SHBA nga zgjedhjet: Flet Drejtori i Agjencisë amerikane të Zbulimit

Shqetësimet në rritje lidhur me garën e ashpër presidenciale në Shtetet e Bashkuara, të mbushur me dyshime mbi përvojën e kandidatëve dhe retorikën e tyre, nuk kanë kaluar pa u vënë re nga agjencitë amerikane të zbulimit.
Zyrtarët e lartë të shërbimeve të zbulimit duan që si amerikanët ashtu dhe bota të kuptojnë se nuk ka vend për shqetësim.
“Shumë njerëz janë të shqetësuar mbi atë çfarë mund të ndodhë dhe kjo është e kuptueshme. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë!” thotë drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, James Clapper.
Sipas tij “përkundër paqartësive që shoqërojnë zgjedhjet dhe tranzicionin drejt administratës së ardhshme, një nga elementët e qëndrueshëm të sigurisë kombëtare janë përfaqësuesit e institucioneve të zbulimit”. Në komentet e bëra në një prej mjediseve të Kongresit, zoti Clapper i cilësoi agjensitë amerikane të zbulimit si një“shtyllë stabiliteti”.
Për sa i takon presidentit të ardhshëm, zoti Clapper tha se angjensitë amerikane të zbulimit “do të jenë thellësisht të angazhuara që kandidati të jetë i mirëinformuar për zhvillimet në botë dhe i përgatitur të marrë vendime”.

Hakerimi nga Rusia

Për të dy kandidatët për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump janë ngritur shqetësime të vazhdueshme, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.
Zonja Clinton ka qenë në qendër të kritikave të forta, pasi në kohën që ishte sekretare shteti, dokumente të klasifikuara si tepër sekrete, i mbante në një server privat që përdorte për e-mailin e saj. Zyrtarë të zbulimit dhe kritikët e saj, thonë se përdorimi i serverit privat për email-et, i ka bërë ato lehtësisht të sulmueshme nga hakerat.
Zoti Trump është kritikuar për shkak të refuzimit për të pranuar vlerësimet e agjencive të zbulimit, që kishin arritur në përfundimin se Rusia është përgjegjëse për hakerimin e email-eve të disa organizatave politike amerikane dhe personave me profil të lartë publik. Disa e kanë kritikuar atë për komentet që ka bërë, të cilat janë parë si inkurajim për Rusinë që të vazhdojë të kryejë sulme kibernetike ndaj Shteteve te Bashkuara.
Zoti Clapper mbrojti përfundimin në të cilin kanë dalë agjensitë amerikane të zbulimit, megjithëse e pranoi se akuzimi i Rusisë për hakerim të email-eve, ishte i pazakontë.
“Nuk do ta bënim nëse nuk do të ishim plotësisht të sigurtë”, tha ai, ndërsa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë “prova të mjaftueshme” që mbështesin këtë vlerësim.

Mundësia e hakerimit të zgjedhjeve

Shqetësimet për përpjekje për të hakeruar në sistemin amerikan të zgjedhjeve kanë nxitur më shumë se 30 shtete të kërkojnë ndihmën e Departamentit të Sigurisë Kombëtare,
Por ndërsa këto sulme kibernetike, nëse ndodhin, mund të shkaktonin shumë probleme, zyrtarët e shërbimeve të zbulimit thonë se nuk ekziston një rrezik i përgjithshëm për proçesin zgjedhor.
“Zgjedhjet do të mbahen në 8 nëntor” tha zoti Clapper, “Sipas vlerësimit tonë do të ishte shumë e vështirë për dikë, për këdo, që të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve nëpërmjet një ndërhyrje kibernetike, sidomos nisur nga fakti qe aparaturat e votimit nuk janë të lidhura me internetin”.

Exit mobile version