Komunitetet fetare në vendin tonë shprehen njëzëri kundër projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, që sipas tyre bie ndesh me Kodin e Familjes.
Së pari: ne jemi kundër parashikimit të sterilizimit si metodë e planifikimit familjar, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, sepse sterilizimi është një ndërhyrje mjekësore e pakthyeshme dhe ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e personit, i ndaluar edhe në vendet më të zhvilluara; si dhe gjithashtu sepse bie ndesh me parimet që mbrojnë familjen dhe jetën.
Së treti: ne jemi kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, jo vetëm pse besimet tona janë pro jetës dhe e konsiderojnë abortin si krim përveç rasteve kur bëhet për të ruajtur shëndetin e nënës. Për më tepër, një argument kritik që përbën këmbanë alarmi për çdo politikbërës janë statistikat rreth nivelit të lindshmërisë, në vendin tonë niveli i ligjshmërisë është 1.4 fëmijë për çift ndërkohë, që niveli i mbijetesës së shoqërisë është minimalisht 2.1 lindje për çift. Me këto ritme cili do të jetë fundi i pashmangshëm?
Së katërti: ne kërkojmë që mëmësia zëvendësuese/surrogate të mos lejohet në Shqipëri për shkak se cenon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës; përbën rrezik të shtuar për trafikim të qenieve njerëzore, trafikim organesh, shfrytëzim të të miturve, shfrytëzim të femrave për lindje të porositura për qëllime kriminale, të cilësuar edhe nga Direktiva e Parlamentit Evropian; për më tepër mëmësia zëvendësuese e kthen qënien e ngjizur në një objekt për të cilin me ligj mund të negociohet; mund të krijojë trauma të forta psikike e psikologjike për fëmijën kur të vihet në dijeni për mënyrën e ngjizjes, si dhe për nënën që e mbart për nëntë muaj në mitrën e saj.
Së pesti: projektligji prek drejtpërdrejt konceptin e familjes me prindër nënë dhe baba dhe shkon deri aty sa zëvendëson lidhjen bashkëshortore me termin “femra pa partner”, përkufizimi i të cilit bie ndesh me normat dhe frymën e Kodit të Familjes, me të drejtat e fëmijës për të patur kushtet “për një zhvillim të plotë e hamonik të personalitetit”.