VETTING/ Mustafa Kabili, ka jetuar për shumë vite në Paskuqan, në një banesë që u shkatërrua nga tërmeti i nëntorit 2019. Pas tërmetit, gjithçka ndryshoi për familjen tij për keq. Ajo që duhet të ishte një mundësi e re për një jetë më të mirë, u shndërrua në një kalvar vuajtjesh pafund.
Fatkeqësia natyrore ia shkatërroi banesën, por pas saj institucionet që duhet ta ndihmonin e lanë më të shkatërruar se sa vet tërmeti. “Ra tërmeti. Erdhi një grup pune nga shteti dhe u vendos se do të shembej dhe do të bëhej shtëpia e re. Sa u bë shtëpia e re, erdhi një grup pune dhe thanë që do të kalonte Unaza. Më thoshin jo nuk të kap. Bëra kërkesa dhe nuk po më jepej përgjigje. S’po më jepej përgjigje as nuk po më linin të takoja drejtorin. Jo mos e lini ta takojë, -doli e më tha një punonjëse”-shprehet ai.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër rindërtimin, por sa nisi të rikonstruktohej shtëpia, një grup i dytë inspektimi u paraqit në terren për të kryer matjet. Mbi shtëpinë e tij do të kalonte Unaza e Tiranës, një mantel ankthi mbulonte familjen. Ankthi shtohej më shumë sepse askush nuk i jepte një përgjigje; a do të prekej banesa e re nga projekti i Unazës së Re? “Shtëpia, sa nisi të ndërtohej filloi dhe rruga. Nuk e di vetëm në këtë vend bëhen këto gjëra” tha Mustafa Kabili. Në fakt, ndihma nuk u dha asnjëherë siç duhej! Vetë rindërtimi i banesës kaloi nëpër një proces të ngadaltë dhe jo transparent. Pas shumë ankesash shtëpia u rindërtua, por familjarët nuk qëndruan asnjë ditë në shtëpinë e re.
POR ÇFARË NDODHI?
Nga 130 metra katrorë banesë që zotëronte familja Kabili, kompania private kishte ndërtuar vetëm 80 metra katrorë, ndërsa 50 m2 i janë hequr pronarit, i cili e kishte shtëpinë në proces legalizimi. Mesa duket Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte pritur investimin e fondeve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të dërguar ekskavatorin, që do të shkatërronte banesën e ndërtuar.
“I lutem kryeministrit të gjithë dokumentacioni e kam, të bëhem dhe unë me shtëpi” shprehet Mustafa Kabili. Ndërkohe qe bashkëshortja e tij thekson: “S’kam asgjë. Njeriu po nuk ka ushqim, veshmbathje, strehim ka mbaru! Këtu ka qenë drejtimi i shtëpisë sime. Punë 6-8 muajsh, akoma s’kishte përfunduar dhe erdhi problemi se do kalonte rruga te shtëpia. E vjetra u shemb pa u ndërtuar, tjetra kalonte Unaza pa u fut neve. Erdhën e shemben edhe të dytën. Gjithë mundi e djersa që e kemi kursyer me sakrificë të madhe ndërtuam atë shtëpi për 20 vite! Më thanë se kemi urdhër nga ministrja, zhdukëm atë shtëpi, më mirë thuaj zhdukëm atë familje”, shprehet ajo për “Vetting”.
Burrë e grua dhe dy fëmijët u braktisën nga shteti dhe ky ishte vetëm fillimi i një periudhe të vështirë. Edhe pse kryefamiljari është punonjës në Policinë e Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, atij i është bërë një padrejtësi, duke ngelur pa shtëpi dhe pa pronë.
“Paguaj 400 mijë lekë muaj për muaj me qira! Për ne është aq e vështirë sa më s’ka, ka që në 2019 deri në 2025, ndërro një shtëpi merr shtëpi me qira. Kësaj i thonë me vra të mbyturin! Nuk e di ku të përplasemi ku të shkojmë, vetëm Zotit me i ngrit duart lart, nuk di ku të shkojmë”. Punonjësi i Policisë është endur sa në një institucion në tjetrin për të gjetur drejtësinë, por deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë situatë.
“Të më thoshte kryetari i bashkisë që ndodhi kjo do të fusim në pallat. Erdhi puna e pallatit, dështoi. Më thanë do të japim një truall, të japim shtëpinë edhe kjo dështoi”,- shprehet kryefamiljari.
Sikur të mos mjaftonte zvogëlimi i sipërfaqes së banesës prej 130m katror që zotëronte Mustafa Kabili, rezulton që Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka përfunduar projektin prej 80 metra katror të banesës, ka certifikuar vetëm objektin. “Shtëpi tërmeti në ajër, nuk ka se zero truall, ka qenë 509 metra katror sipërfaqja e tokës. Këta e kanë vendos 0 metra katror truall. Ishte VKM që legalizohet tokë dhe shtëpi. Punën që kanë bërë shtëpinë aty 80 m2 e kanë bërë për t’u justifikuar, por projekti do 100 vjet, si u zbatua pa folur?!”,-thekson ai.
Duke i ndërtuar më pak metra banesë nga çfarë kishte para tërmetit 2019, sipas denoncuesit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta kompensojë me më pak pagesë, duke ia ulur vlerën e banesës me rreth 50%. Në llogarinë bankare të denoncuesit akordohet një shumë që Mustafa Kabili e ka refuzuar. Shteti i ka kaluar 40 mijë euro për kompensimin, por me këtë vlerë ai nuk mund të blejë një banesë në zonën ku jeton. Sepse në këtë rast, nuk është marrë parasysh as çmimi i referencës, që është shumë herë më i lartë se ai që i kanë kaluar Mustafa Kabilit, duke mos harruar dhe grabitjen e 50 metra katror ndërtesë dhe truall.
“Kam bërë kërkesë edhe tek shpronësimet. Nuk jam dakord me shpronësimin. Dua të bëhem me shtëpi si gjithë banorët e tjerë. Ku blihet shtëpi, 1400 euro ka shkuar m2 këtu në Paskuqan tani”, shprehet ai. Sipas të dhënave nga tregu i pasurive të paluajtshme, 40,000 euro nuk mjaftojnë për të blerë një apartament, as sa gjysma e sipërfaqes së shtëpisë që Mustafa Kabili zotëronte.
“Personat që mund të vijnë me 40 apo 50 mijë euro te ne, fatkeqësisht ne nuk i ndihmojmë dot! Duhet të lokalizojmë zonën ku do shkojmë nëse do flasim për qendrën do të duhen për një apartament 2+1, minimalisht ndërtimet e reja, nëse jemi me fat gjemë diçka të re pastaj nëse spostohemi larg qendrës, në periferi, në zona pak më ekonomike mund të shkojë një apartament 2 plus 1 te 100 mijë euro po të jemi me fat edhe 90 mijë euro, thuajse është e pamundur për një familje me 4 persona! Janë disa vlera që askush nuk mund të blejë dot asgjë, tani janë hapur aplikimet, shpresoj që bashkia të ketë reflektuar çmimet reale që janë në treg, mos të tallen kot me popullin. E kanë të pamundur të blejnë në ato vlera. Vijnë njerëzit e përplasen në dyert tona”,- shprehet eksperti i pronave, Edvin Demirxhiu.
Mustafa Kabili kërkon me ngulm që fëmijëve t’iu lërë një banesë, të cilën e kishte në pronësi, por mesa duket e vetmja mundësi për një punonjës të shtetit është media. Në të gjithë këtë tragjedi evidentohet qartësisht që kemi një mungesë akordimi midis pushtetit lokal dhe qendror. Në këtë rast i kanë hequr pronën punonjësit të policisë, duke menduar se ai nuk do e ngrinte zërin pasi i rrezikohej vendi i punës. Por a ka pasur bashkëpunim midis Bashkisë Kamzë, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit? Si ka ndryshuar gjurma e rrugës së Unazës së Re në momentin e fundit? Kujt i mbetet përgjegjësia? “U bë së bashku edhe shtëpia edhe rruga, në fund fare po i vuajmë ne, jemi në mes të katër rrugëve”, -shprehet ai!
MISHMASHI ME TENDERAT
Zanafilla e problemit lidhet me statusin dhe të dhënat e vendit ku ka bërë shtëpinë Mustafa Kabili dhe institucioni që disponon dokumentet për këtë vend dhe ka përgjegjësi është Bashkia Kamzë. Konkretisht pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, sipas Aktit Normativ nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është caktuar si zbatues për “Programin e Rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti” në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë, duke qenë njëkohësisht përgjegjës për zbatimin e rindërtimit të banesave individuale, ndërtimi dhe rikonstruksioni i infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të këtyre zonave. Për të siguruar informacionet për banorët dhe infrastrukturën e dëmtuar nga tërmeti, bashkitë në bashkëpunim me ekspertët e përfshirë, kanë identifikuar banorët e dëmtuar nga tërmeti, të cilët kanë përfituar nga Programi i Rindërtimit. Në këtë rast ka qenë Bashkia Kamzë, e cila ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit rindërtimin e 177 banesave individuale, duke përfshirë edhe banesën e Mustafa Kabilit. Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se ka mospërputhje të datës së hapjes së tenderit të Rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Rindërtimit me planin e miratuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave, për Bashkinë Kamzë.
Më 28 prill 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të çelte tenderin për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti “Rindërtimi e 162 banesave individuale, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të tyre”. Në këtë projekt kishte një kategorizim të banesave, nga të cilat 46 sipas modelit 1+1, 58 sipas modelit 1+2 dhe 58 sipas modelit 1+3, në Bashkinë Kamzë të shpërndara në Njësitë Administrative Kamzë dhe Paskuqan. Ky tender është fituar nga kompania “Gjikuria” shpk. Pra, projekti nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit se si do të bëhej dhe se si do të zbatohej është bërë përpara se ta miratohej Vendimi nga Këshilli i Ministrave dhe Bashkia Kamzë. Konkretisht me anë të vendimit nr. 525, datë 19.10.2020, 6 muaj pasi është hapur tenderi Bashkia Kamzë ka miratuar Planin e Detyruar Vendor për Zonat e Dëmtuara Pikësore, për 177 banesa individuale duke u bazuar paraprakisht te Vendimi i Këshillit të Ministrave.
Në këtë rast, si është hapur gara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kur akoma nuk ishte miratuar se cilat banesa do të rindërtoheshin? Si është bërë përllogaritja e tenderit, kur FSHZH nuk ka qenë në dijeni të shkallës së dëmtimit të banesave të goditura nga tërmeti nëpërmjet vlerësimit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit? Kjo është vetëm njëra nga devijimet, e cila ngre dyshime për projektin. Problemi tjetër lidhet me sipërfaqen e gllabëruar nga Bashkia Kamzë. Kryetari i Bashkisë Rakip Suli ka paraqitur një projekt në planin e përgjithshëm, e cila sipas dokumenteve dhe deklaratave të Mustafa Kabilit cenon të drejtën e pronës, pasi nga 130 metra katrorë që e kishte Kabili, ia kanë zvogëluar në 80 metra katror.
KËRKESA PËR BASHKINË
“Vetting” i dërgoi një kërkesë për informacion FSHZH-së nëse para apo gjatë këtij tenderi ka pasur informacion që në këtë zonë do të kalonte gjurma e Unazës së Madhe Tiranë-sheshi “Shqiponja”-Bulevardi Shkozë. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka sqaruar se: “Konkretisht, Bashkia Kamzë ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit (KSHR) rindërtimin e 177 banesave individuale, përfshirë edhe banesën e qytetarit Mustafa Kabili. Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 46, datë 27.08.2020, janë hartuar dhe miratuar planet për zhvillimin dhe rindërtimin e zonave të dëmtuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Kamzë ku përfshihen njësitë e banesave individuale që do të rindërtoheshin në të njëjtin truall, pa ndryshuar vendndodhjen e banesave të dëmtuara.”
Në fakt, vendimi që i referohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit është i paqartë, sepse në Fletoren Zyrtare nuk gjendet një vendim i Këshillit të Ministrave nr, 46, datë 27.08.2020, por mund të jetë një Vendim i Këshillit Bashkiak Kamzë. Në lidhje me gjurmën e projektit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, FSHZH deklaroi se nuk ishte në dijeni me këto vendime. “Vetting” kontaktoi Bashkinë e Kamzës në lidhje me pronën e Mustafa Kabilit, duke zbuluar një kaos vendimesh nga institucionet në lidhje me procesin e Rindërtimit.
Në kthim-përgjigje për “Vetting”, bashkia do të deklaronte se “referuar vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 748, datë 20.12.2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 662, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, prone private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe të Tiranës”, ky subjekt është trajtuar sipas legjislacionit në fuqi për shpronësimet për interes publik nga ARRSHja”. Por kjo është maja e Ajsbergut, sepse në përgjigjen e administruar pranë Njësisë Administrative Paskuqan nga Bashkia Kamzë thuhet se në lidhje me zonën e banorit të dëmtuar është vepruar në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, VKM-së nr. 409, datë 15.6.2022 “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve pa leje që nuk legalizohen”, Marrëveshjes së Bashkëpunimit me ARRSH-në me nr. 7787 prot., datë 21.07.2022.
Sipas këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave, në këtë rast Mustafa Kabili hyn te ndërtimet pa leje të palegalizuara dhe si i tillë përfiton banesën. Por ky vendim do t’i hapte rrugën një sërë vendimesh të tjera që zbulojnë se vlerësimi i kësaj banese ka dyshime të forta për korrupsion. Më anë të VKM-së NR.319, datë 18.5.2022 “Për kalimin te Bashkitë Shijak, Kamzë, Kavajë, dhe Krujë të Njësive Individuale të Banimit” do të shpërndaheshin banesat për personat e goditur nga tërmeti, ku përfshihej dhe banesa e Mustafa Kabilit me vlerë të objektit 25 milionë lekë ose 25 mijë euro.
Por VKM-ja e firmosur nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që është në kërkim ndërkombëtar për akuzat për korrupsion është firmosur pasi janë shpërndarë njësitë individuale, duke ngritur pikëpyetje për organizimin e tërë procesit. Menjëherë pas këtyre vendimeve, në 13 tetor 2022 Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin nr.662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”-”Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6″. Në fakt, në projektin fillestar nuk gjendet emri i Mustafa Kabilit dhe vlera e kompensimit në këtë rast është 3.1 miliardë lekë ose 31 milionë euro dhe përfshihen 197 subjekte për shpronësim.
Disa muaj më pas, në 17 maj 2023, me anë të vendimit 287 Këshilli i Ministrave do të ndryshonte vendimin e mëparshëm duke shtuar vlerën e shpronësimit të projektit nga 3,1 miliardë lekë në 3.8 miliardë lekë.
NDRYSHIMI I VENDIMIT 662
Por përsëri qeveria do të ndryshonte vendimin 662, ku në 20 dhjetor 2023, Këshilli i Ministrave do të mblidhej përsëri për të ndryshuar vendimin e mëparshëm me anë të vendimit 748 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin 662 për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i Projektit për Segmentin Rrugor të Vazhdimit të “Unazës së Madhe” Tiranë nga “Sheshi Shqiponja”- ”Bulevardi i Ri” dhe “Rikualifikimi i “Unazës Lindore” për Lotet 4,5, 6″. Në këtë vendim do të gjendej edhe emri i Mustafa Kabilit për përfitimin e shpronësimit të banesës së sapondërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por në këtë rast vlera e banesës do të ishte 41 mijë euro nga 25 mijë euro që u deshën për rindërtimin e saj. Vlera e plotë e shpronësimit për ndërtimin e Unazës së Madhe në këtë segment do të shkojë nga 31 milionë euro në 4,1 miliardë lekë ose 41 milionë euro. Problemi tjetër është se kemi devijim të projektit të unazës, që do të thotë se kemi përplasje edhe me tenderat e organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Historia e ndërtimit të Unazës së Madhe për segmentin 4,5,6 dhe 7 është denoncuar vazhdimisht nga Partia Demokratike për kostot e larta.
SI U SHPENZUAN FONDET
Si ka mundësi pastaj që dy institucione që të gjitha veprimet e tyre dhe procedurat të tëra të administruara në një struktura që e administron AKSHI dhe këta të kenë përplasje. Shteti ka çdo të dhënë për çdo individ jo më për institucionet bashkëpunim me njëri-tjetrin më duhet absurd në kohën e teknologjisë. Unë me profesion jam audituese dhe ne themi që nëse funksionojnë letrat, gjithçka funksionon në rregull”, shprehet ekspertja audituese Meri Lika.
Një situatë e paprecedentë ka ndodhur për shkak të mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve shtetërore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe duke krijuar një ngërç të rëndë për qytetarët e prekur. Problemi kryesor është se FSHZH nuk ka pasur një bashkëpunim të mjaftueshëm me Autoritetin Rrugor Shqiptar para hapjes së tenderave dhe ndërtimit të shtëpive, duke bërë që këto investime të kthehen në një humbje totale për shtetin dhe qytetarët. “Dëmi është i dyfishtë: për qytetarët që kanë humbur shtëpitë e tyre dhe për buxhetin e shtetit, i cili ka shpenzuar fonde të konsiderueshme pa një plan të qartë dhe të koordinuar. Dëmi ekonomik ka individin ka si pikësynim qoftë dëm në buxhet, qoftë në forma të ndryshme dëmton individin, sepse edhe buxheti i shtetit është e ardhur nga taksapaguesit shqiptarë. Çdo e ardhur që hyn në buxhetin e shtetit janë një e ardhur që u është marrë individëve banorëve, popullit. Pavarësisht gjithë analizës së kompanisë qytetarët janë ata që e pësojnë”, shprehet Meri Lika.
TË BLESH SHTËPI NË SHQIPËRI
Një familje shqiptare i duhen të paktën 30 vite për të blerë një banesë, pasi niveli i kursimit është shumë i ulët si shkak i çmimeve të larta që tek produktet e shportës dhe më pas të atyre më pak të domosdoshëm. Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme. Të dhënat janë publikuar nga Numbeo, i cili është portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetesës. Treguesi kryesor është raporti i çmimit të shtëpive me të ardhurat e individëve, i cili bën matjen e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti dhe shprehet në vite të ardhurash. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie.
“Çmimi i banesave u bë vite që ka një trend goxha rritës sidomos këto 2 ose 3 vitet e fundit ka pasur kurbë rritëse shumë të lartë e kjo vjen si pasojë e kërkesave dhe si rezultat kemi këto çmime që kemi sot shumë të larta”, shprehet Ervin Demerxhiu. Edhe e drejta kushtetuese mbi pronën nuk është e garantuar edhe në rast se qytetarët sakrifikojnë dhe kursejnë fati i së nesërmes është i pasigurt. “Historia e Mustafa Kabilit është vetëm një nga shumë raste që tregojnë dështimin e institucioneve shtetërore për bashkëpunimin institucional, kosto e cila përkthehet në mungesën e mbështetjes për qytetarët që kanë nevojë për përkrahje.
******
Në fakt, në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesit e tenderit “Projektim Rikualifikim i Unazës Lindore, për Lotet 4,5,6.”, që u fitua nga kompanitë “KLODIODA & A.L.T.E.A.-GEOSTUDIO 2000” me vlerë 282 mijë euro.
Por përfituesit e tenderave për ndërtimin e akseve 4,5,6 të Unazës së Jashtme të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar janë shpallur dhe lidhur kontratat në fund të vitit 2021. Përkatësisht fituesit janë “EUROTEOREMA PEQIN shpk- “PE-VLA-KU” sh.p.k – “NOVA Construction 2012” shpk”, “G.P.G. COMPANY”-”SENKA” shpk, “ALKO-IMPEX General Construcion-2T”. Por të tre tenderat janë shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi ka indicie për korrupsion dhe favorizim të fituesit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Pyetja që ngrihet është: Si janë organizuar tenderat para kohe, kur vendimet e Këshillit të Ministrave të marra pas tenderave kanë ndryshime, të cilat bazohen te devijimet e projektit?
Në fakt, institucionet që kanë përgjegjësi janë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamzë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Por problemet me dokumentacionin e pronësisë në Bashkinë Kamzë nuk janë një risi, pasi më herë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika të shumta nga kryetari i bashkisë Rakip Suli. Sipas auditit rezulton se nga totali prej rreth 2000 pasurish që i janë transferuar kësaj bashkie, duke përfshirë zonën e Paskuqanit, janë dërguar për regjistrim 93 pasuri, nga të cilat vetëm 47 janë regjistruar. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se zona e Paskuqanit ku gjendet edhe prona e Mustafa Kabilit nuk është rakorduar me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës KamzëVorë mbi statusin juridik dhe tjetërsimin e mundshëm të pronave nga persona të tretë, përmes procedurave të legalizimit, privatizimit, vendimet e kthimit/kompensimit apo vendimet gjyqësore. Në raport theksohet se inventari i pasurive të paluajtshme të Bashkisë Kamzë është i papërditësuar dhe në shkelje të nenit 37, të ligjit nr.20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Por vetë programi i Rindërtimit ka mangësi të theksuara në mënyrën e hartimit dhe zbatimit. Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit ai që ka zbuluar probleme të theksuara me programin e Rindërtimit, ku për periudhën nga 10 janari 2020 deri më 30 prill 2021 realizoi auditimin për Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin dhe Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, duke u përqendruar te zbatimi i kompetencave të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin. Që nga themelimi i kësaj ministrie e deri në gusht 2022, programi i Rindërtimit është drejtuar nga ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili është në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e ish zv.kryeministrit Ahmetaj të Shtetit mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara. Në raport evidentohen edhe probleme me Komisionin Shtetëror të Rindërtimit, ku theksohet se nuk rezulton i dokumentuar hartimi dhe miratimi i Programit të përgjithshëm të rindërtimit nga KSHR, dhe më pas përcjellja e tij për miratim në Kryeministri. Në konkluzionin e përgjithshëm, auditi zbulon se mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore. Gjithashtu nuk është dokumentuar plotësisht ndjekja e zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave të ngarkuara për Bashkitë, për trajtimin e banorëve që kanë humbur familjarët ose kanë mbetur të pastrehë./Gazeta Panorama