Tenderi për të dhënë me koncesion aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit ka shkaktuar një krizë të thellë në qeverinë malazeze. Procesi, i cili zgjat prej gati 7 vitesh ka kulmuar një ditë më parë kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i drejtuar nga zëvendëskryeministri shqiptar, Nik Gjeloshaj, skualifikoi ofertën e kompanisë koreane Incheon duke shpallur kështu fitues kompaninë tjetër të mbetur në garë Corporation America Airports SA.
Kjo ka shkaktuar zemërimin e kryeministrit malazez, i cili tërhoqi njerëzit e tij dhe ata të ministrisë së financave nga komisioni i tenderit.
Sipas raportimeve nga mediat malazeze, qeveria e Malit të Zi është ndarë në dy kampe. Nga njëra anë qëndron kryeministri Milojko Spajić me njerëzit e tij dhe nga ana tjetër zëvendëskryeministri shqiptar Nik Gjeloshaj dhe ministrja e Transportit, Maja Vukićević.
Kryeministri Milojko Spajiq dhe zëvendësi i tij, Nik Gjeljošaj, kanë kundërshtuar publikisht njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Spajiç beson se oferta e koreanëve u skualifikua padrejtësisht, ndërsa Gjeloshaj është kundërpërgjigjur ashpër duke akuzuar dhe IFC-në si konsulente e tenderit, për korrupsion.
Përlasja ka arritur deri në pikën e paranojës, teksa zyra e kryeministrit malazez akuzon për komplot shqiptar me qëllim dështimin e koncesionit për të favorizuar aeroportin e Rinasit.
Përplasja
Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar në listën e shkurtër të koncesionit të dy aeroporteve vetëm dy oferta, atë të kompanisë koreane Incheon dhe ofertën e Corporation America Airports SA. Komisioni i tenderit i përbërë nga 13 anëtarë ka vendosur të vlerësojë me 79.7 pikë ofertën e koreanëve dhe me 85 pikë atë të Corporation America Airports SA.
Por sipas rregullave të tenderit çdo vlerësim poshtë nivelit 80 pikë çon në skualifikim automatik të ofertës. Rrjedhimisht komisioni skualifikoi kompaninë koreane duke lënë si fitues të koncesionit Corporation America Airports SA, e cila menaxhon disa aeroporte në Amerikën e Jugut.
Por ndërkohë, IFC në rolin e konsulentit të tenderit kishte bërë një vlerësim të përmbysur duke u dhënë 95 pikë koreanëve dhe 80 pikë kompanisë nga Amerika e Jugut. IFC reagoi ashpër pas vlerësimit të Komisionit duke folur për tender të kompromentuar dhe përmes një letre paralajmëroi tërheqjen e saj nga procesi.
Kryeministri Milojko Spajiç ka reaguar gjithashtu shumë ashpër ndaj skualifikimit të koreaneve duke urdhëruar tërheqjen e njerëzve të tij nga komisioni i tenderit si dhe duke paralajmëruar kallëzim në prokurori.
Një burim pranë kampit të Spajiçit tha se tre përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë nuk do të nënshkruajnë procesverbalin e komisionit të tenderit, pasi dyshojnë për paligjshmërinë e procesit të pikëzimit.
“Do të thërrasin policinë dhe prokurorinë për të hetuar gjithçka”, tha burimi, i pyetur se kush duhet të përcaktojë paligjshmërinë e pretenduar të procedurës.
Një burim qeveritar tha se nga 13 anëtarët e komisionit, katër anëtarë të komisionit ishin kundër vlerësimit të ofertës teknike dje, “që ishte krejtësisht në kundërshtim me atë që ishte propozuar nga IFC”.
“Konsulenti e ka vlerësuar një ofertues me shumë më shumë pikë, afër numrit maksimal të pikëve. Po ai ofertues është skualifikuar me pikën e disa anëtarëve të komisionit të tenderit, siç theksohet nga katër anëtarët që votuan kundër këtij vendimi sot”, tha burimi.
“Vlerësimi i ofertave teknike është një proces i specializuar, i lidhur ngushtë me njohuri dhe aftësi specifike për të cilat konsulenti ka punësuar një ekip të specializuar”.
Burimi theksoi se nga 13 anëtarët e komisionit, gjashtë janë nga Ministria e Transporteve dhe se procedurat ligjore nuk kërkojnë votim të fshehtë.
Paranojë komploti
Kampi i kryeministrit Spajiç dyshon se Gjeloshaj dhe ministrja e Transporteve Maja Vukićević, e cila është edhe anëtare e komisionit, synojnë sabotimin e tenderit, sepse pa investime të mëdha, aeroportet malazeze nuk do të ishin në gjendje të konkurronin aeroportin e Tiranës dhe duke mbetur në pronësi të shtetit, do të ishin ende në subjektin e punësimit të Partisë Popullore Demokratike.
Një burim tjetër nga qeveria, megjithatë, pohon se vështirë se është e mundur që Gjeloshaj dhe Vukiçeviç të kenë interesa të përbashkëta në këtë procedurë dhe se ministrja e Transportit “po e bën punën e saj me ndershmëri”.
Në një intervistë për “Vijesti” në nëntor, Vukiçeviç tha se nuk ishte në mënyrë eksplicite kundër koncesioneve për aeroportet malazeze, por se mbante një qasje të balancuar për këtë çështje, për të shqyrtuar me kujdes të dyja opsionet: modelin e koncesionit dhe modelin në të cilin shteti do të operonte vetë aeroportet përmes një marrëveshje investimi.
Gjeloshaj: Ne nuk kemi besim te konsulenti
Gjeloshaj iu përgjigj ashpër letrës së IFC-së dhe qëndrimit të Spajiç, duke thënë se “shumica dërrmuese” e komisionit nuk besonte në shumicën e veprimeve të IFC-së. Ai tha se nuk do të pranonte kurrë poshtërimin e qeverisë dhe shtetit, duke paraqitur një raport tek “konsulentët që ne paguajmë, por e kundërta, që ata të japin llogari për veprimet e tyre”.
“IFC-ja ka gjykuar gabimisht nëse beson se anëtarët e Komisionit të Tenderit duhet të jenë vetëm figura dhe shtesa, për të konfirmuar çdo dëshirë të IFC-së, ose më mirë për të miratuar çdo urdhër që përcjell partneri i Incheon-it, Bodin Bulatović (shefi i IFC për Ballkanin),” deklaroi Gjeloshaj./kapital.al