Ish-deputeti Shefqet Beja kundërshtoi në Kuvend vijën e Frontit Demokratik, arsye për të cilën u arrestua me grupet e deputetëve, u gjykua e u dënua me varje me 10 tetor 1947.
Organizata Nacional-Demokratike e njohur ndryshe dhe si Grupi i Deputetëve përbën grupin e parë opozitar brenda Asamblesë Kushtetuese. 17 deputetë, të cilët duke mos njohur natyrën e vërtetë me të cilën kishte vendosur të funksiononte pushteti i Enver Hoxhës, i porsaardhur në fuqi, guxuan të kundërshtojnë dhe të bëjnë opozitën e parë të tij.
“Kam qenë dhe jam armik i pushtetit të sotëm në Shqipëri, kam dashur dhe dua përmbysjen e këtij pushteti dhe zëvendësimin e tij me një regjim të tipit të demokracisë perëndimore”, deklaroi deputeti në sallën e gjyqit.
Shefqet Beja ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nën president i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik). Arrestohet në gjyqin e parë që njihet si grupi i deputetëve dhe pas disa muajsh hetim dhe gjykim, dënohet me vdekje, varje.
Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni i I Nexhat Hyseni anëtar dhe Kapiteni i II-Mustafa Iljazi anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar.
GRUPI I OPOZITARËVE
Goditja brenda radhëve të parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur, vdekur në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë. Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët.
Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në një prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit në datën 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46” jepen këto porosi: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni.
T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”. Vetëm dy ditë më pas, urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet: “Lirisë, shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet.
Në qoftë se Ganiu ashtë dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt, se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. Enver”. Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga ketë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.
KUNDËRSHTITË
Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, më 7 mars të vitit 1946, kundërshtoi listën e Presidiumit të Asamblesë, rregulloren për çështjen e imunitetit dhe të mandatit të deputetit si dhe projektstatutin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë mbi të cilin do të mbështetej më pas pushteti i regjimit komunist: “Për statutin tonë ka dy anë të shëndosha, të çkëlqyera, e plot heroizëm. Lufta çlirimtare në njërën anë e Fronti Demokratik në anën tjetër. Kjo bazë dyshe pa dyshim na ka diktue projekt-statutin. Por lufta çlirimtare dhe Fronti Nacionalçlirimtar kanë pasur dhe kanë akoma ma tepër karakter kombëtar se sa karakter ideologjik.
Populli pa ndryshim klase e ideje ka luftue. Prap populli pa ndryshim ideje e partie ka bërë qëndresë në Frontin Demokratik. Fronti s’asht tjetër veçse bashkim njerëzish, partish e tendencash për luftën çlirimtare e për rindërtimin. Çdo lloj ngjyre ideologjike që mund të marrë Fronti, ai do të ketë për pasojë zhdukjen apo transformimin e tij në nji parti të thjeshtë me ngjyrën e saj esenciale. Statuti pa dyshim asht ba me frymë ideologjie dhe politikisht ashtu dhe nga pikpamja socialekonomike. Unë vetë personalisht jam në nji demokraci të lirë. Do të votoj për statutin, por natyrisht do të dëshiroja që dhe statuti jonë të inspironte nga ky parim”.
Në dhjetor 1946, Riza Dani u arrestua. Në maj 1947 u arrestuan dhe deputetë e anëtarë të tjerë të Organizatës Nacional-Demokratike. Në shtator 1947, u zhvillua gjyqi kundër tyre. Ata u akuzuan si elementë terroristë, që kishin dashur të përmbysnin me dhunë pushtetin, duke shpresuar dhe në ndihmën e angloamerikanëve. Trupi gjykues dha për 21 vetë dënime me vdekje dhe për shumë të tjerë dënime me burgime të rënda. Asgjësimi i këtij grupi tregonte se forcat opozitare do ta kishin të pamundur të organizoheshin në kushtet e diktaturës komuniste.
NË BANKËN E TË AKUZUARVE
“Grupi i deputetëve” u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq, i cili u zhvillua në kinemanë “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data katër shtator e vitit 1947 e deri në datën 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ka qenë pikërisht koha, kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste.
Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave. Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944.
Duke konstatuar se, Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë, etj., si: Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputetëve me pikëpamje liberale, por pa dyshim që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve. Ishte korriku i 1946- ës kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike.
Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend. Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte: “Ne dyshonim që me forcat tona të mund t’i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…”.
DËSHMITË E MONTUARA
‘Grupi i deputetëve’ doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë.
Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejt të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”. Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja pati guximin të zhvishej në sallën e gjyqit për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë. Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm.
Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundërakuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen: Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi. Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.
TORTURAT
Procesi ndaj grupit të deputetëve dhe intelektualëve të tjerë është zhvilluar nëpërmjet një procesi të tmerrshëm torturash. Gjatë periudhës së hetimit vdiqën nga torturat e rënda, këta të pandehur: -Ali Begeja, ish-kryebashkiak i Tiranës (procesi i parë), vdiq më 18.8.1947. Për të u shkrua se gjoja “vdiq në burg duke u hedhur nga dritarja”.
Stanislav Zuber (procesi i parë), për të cilin mungon data e saktë e vdekjes, pavarësisht se të dhëna të ndryshme ka. -Ferit Hysenbegasi, jurist (procesi i dytë), 17.9.1947 -Avdul Bani (procesi i dytë), roja i Islam Radovickës. Torturat kryesore të përdorura ndaj grupeve të deputetëve dhe intelektualëve janë dëshmuar në disa burime. Sipas historian Kastriot Dervishi njëri nga hetuesit ka dëshmuar “arsenalin” që ka njohur. Për këtë arsye procesi hetimor dhe ai gjyqësor është në masën 90-95% i pavërtetë dhe i manipuluar, efekt i torturave të mëposhtme ku më kryesorja ka qenë ajo e prerjes së mishit.
Lista e torturave sipas Dervishit është:
1-Jeleku (tortura më e tmerrshme, njeriu lidhet pas një huri dhe merr pamjen e një qengji që piqet në hell).
2-Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra.
3-Korrenti elektrik deri sa i binte të fikët.
4-Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
5-Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur deri sa t’i priten gishtat.
6-Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundra tyre).
7-Shpifnim gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe u shtihej në ajër ose shpiheshin te litari.
8- Tortura morale në lidhje me familjen: do të burgosim, do të t’i vrasim, bile në Shkodër për të thyer rezistencën e Dulo Kalit shpunë në një dhomë ngjitur me të dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra dhe ato bënë gjoja sikur ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë t’i çnderuar.
9-Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
10-Një herë Myftar Tarja (hetues-shënim) i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
11-Djegia e mishit me cigare. Në fund kundra një provokatori të Kukësit i është hedhur alkool në duar ose në leshra dhe i vihesh shpyrtua (shkrepësja).
12.Gjellë me kripë e lënia pa ujë. Futje në ujë dhe lënie me tesha të lagura në dimër. -Pakësim i ushqimit gradual për të vdekur brenda 1 ose 2 vjetëve -Lënia pa gjumë në këmbë. Është përdorur tortura dhe mjetet e tjera shtrënguese me kërcënime për jetën e familjarëve. /Gazeta Panorama