Afati i Brexit shtyhet deri më 31 tetor

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan t’i japin kryeministres Theresa May një afat të ri deri më 31 tetor për zbatimin e Brexitit, katër muaj më shumë sesa ajo kishte kërkuar.

Vendimi u mor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian pas një diskutimi të gjatë me dyer të mbyllura, për t’i dhënë një mundësi Mbretërisë së Bashkuar të zgjidhë problemet e brendshme rreth Brexitit.

“Të 27 vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar u pajtuan për një zgjatje fleksibël deri më 31 tetor” shkroi në fund të diskutimeve tetë orëshe, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Britania, tha zoti Tusk, mund të largohet edhe më herët nëse kryeministrja May siguron mbështetjen e parlamentit për marrëveshjen e saj për Brexitin. “Deri në fund të kësaj periudhë, Mbretëria e Bashkuara do të ketë mundësi po ashtu të … anulojë Brexitin”, tha presidenti Tusk.

Kryeministrja May ende shpreson që mund të sigurojë mbështetje për t’u larguar me herët në mënyrë që britanikët të mos detyrohen të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen nga 23 deri më 26 maj – një kusht që vendi të mbetet anëtarë i bllokut përtej 1 qershorit.

Parlamenti britanik refuzoi në tri votime marrëveshjen e negociuar nga zonja May. Shumë udhëheqës dëshironin një shtyrje më të gjatë të afatit, deri në fund të vitit apo edhe deri në mars të vitit të ardhshëm, por presidenti francez, Emmanuel Macron, kundërshtoi gjatë tërë mbrëmjes duke detyruar një kompromis.

Largimi më 31 tetor – natën e festës së Halloweenit, siç vunë re komentuesit në rrjetet sociale, përkon me përfundimin e mandatit të Komisionit Ekzekutiv të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version