Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në nivelin më të ulët në 20 vjetët e kundit për shkak të çështjes së tarifave.
James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se negociatat me Serbinë duhen parë në këndvështrimin e ndërtimit të një marrëdhënieje dhe jo të një transaksioni. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hooper tha se 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, ai e konsideron Kosovën histori suksesi, por tërheq vëmendjen se ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.
Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha dje në Shqipëri se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin çdo zgjidhje për të cilën do të binin dakord Kosova dhe Serbia. Megjithëse ai nuk i mëshoi idesë së shkëmbimit të territorit ose ndryshimit të kufijve, ai tha se mund të jetë një element i bisedimeve. Ku mendoni se jemi për momentin lidhur me çështjen e bisedimeve dhe të kufijve?
James Hooper: Mendoj se Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer po përpiqej të inkurajonte lëvizjen përpara të negociatave. Ato kanë ngecur muajt e fundit për shkak të situatës me tarifat, por mendoj se Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane e kupton se ky është një shans historik për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje.
Dhe kjo nuk kuptohet mirë nga politika e Kosovës në përgjithësi, ndoshta as nga populli i Kosovës. Këto janë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që Kosova dhe Serbia të krijojnë një marrëdhënie që nuk ka ekzistuar kurrë më parë.
Është shumë e rëndësishme që kosovarët ta kuptojnë se në vitin 2016, një realitet i ri u krijua në Shtetet e Bashkuara, me zgjedhjen e Presidentit Trump. Ky president nuk është aq i përkushtuar për mbrojtjen e Kosovës, për t’u bërë mburoja e Kosovës siç ishte Partia Demokrate, apo republikanë të tjerë, prandaj është një situatë më e rrezikshme për Kosovën, sepse është e rrezikshme të kesh një fqinj armiqësor në kufirin verior në një kohë kur nuk mund ta marrë si të mirëqenë të njëjtën mburojë, një ombrellë sigurie nga ana e Amerikës.
Prandaj kjo është një mundësi e shkëlqyer, madje jashtëzakonisht e nevojshme për të negociuar një fund të armiqësisë, ose të paktën një reduktim të ndjeshëm të armiqësisë, sepse e tillë është situata.
Por mendoj se populli i Kosovës dhe shumë faktorë të politikës e keqkuptojnë se për çfarë natyre negociatash po flasim. Ata i shohin këto bisedime me Serbinë si një transaksion, pra: sa më shumë të marrë Kosova aq më mirë për të dhe sa më pak të marrë Serbia, aq më mirë për Kosovën. Dhe me këtë këndvështrim e shohin çështjen e kufirit. Por vendosja e një marrëdhënieje është e ndryshme.
Për shembull në një negociatë si transaksion, territori është qëllim në vetvete, ndërsa në një marrëdhënie territori është një mjet për të arritur qëllimin. Territori në vetvete nuk është siguri, mund të japë instrumentat për siguri dhe në këtë rast është mjet për legjitimitet,
njohje përmes anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Pra Kosova duhet të mendojë pa dyshim për të siguruar përfitimet e veta nga marrëveshja, por edhe që Serbia të përfitojë mjaftueshëm për ta ratifikuar dhe për ta zbatuar.
Nuk besoj se Kryeministri po i kupton negociatat kështu siç po e shpjegoj unë, si mënyrë për të ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë në vend që të marrësh çdo gjë që të mundesh për vete. Kosova përfiton nëse Serbia mendon se ka përfituar sa ç’duhet për të ratifikuar një marrëveshje dhe për ta zbatuar atë dhe unë besoj se mund ta arrijnë një marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Por ju e thoni sikur është përgjegjësia e Kosovës që të kontribuojë në një mënyrë të tillë për të krijuar një marrëveshje që do të frenonte armiqësitë e Serbisë. Por nga ajo që kemi parë veprimet e Serbisë nuk kanë qenë reagim ndaj asaj që ka bërë Kosova, por kanë qenë pjesë e politikës së vet ndaj Kosovës…
James Hooper Ajo që po thotë kryeministri dhe shumë kosovarë, është se ne “nuk do t’i heqim tarifat deri kur pala tjetër të na njohë”. Kështu ata vënë një parakusht për bisedimet. Por mendoj se njohja – nuk them në kuptimin e vendosjes së ambasadave – por njohja do të ishte më shumë një rezultat që do të ishte të pranohej Kosova si një vend i pavarur, pra një rezultat i negociatave jo një parakusht.
Ajo që duhet të bëjnë negociatorët e Kosovës, është që të kuptojnë se çfarë i duhet palës tjetër, ashtu si negociatorët e Serbisë duhet të kuptojnë se çfarë i duhet palës së Kosovës. Të dyja palët duhet të kuptojnë minimumin që i duhet palës tjetër, në mënyrë që të pranohet një marrëveshje, të ratifikohet dhe pastaj të zbatohet.
Këto lloj negociatash – pra për një marrëdhënie – nuk janë të lehta, duan një nivel pjekurie dhe sofistikimi, që mendoj se pala kosovare e ka demonstruar deri tani, sepse ka të bëjë me faktin se si të veprosh me Shtetet e Bashkuara
Zëri i Amerikës: Ju e thatë tashmë se çfarë mendoni për tarifat dhe qëndrimin e kryeministrit. Sa mendoni se e kanë dëmtuar ato marrëdhënien historikisht të mirë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?
James Hooper: Jam befasuar se sa shumë e kanë dëmtuar marrëdhënien. Mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë tani në nivelin më të ulët që nga ndërhyrja e NATO-s para 20 vjetësh dhe nuk shoh ndonjë shenjë se kjo gjendje po ndryshon.
Ajo që më befasoi është se kosovarët duken të hapur ta tolerojnë, ta pranojnë një gjë të tillë, në një kohë kur u duhet të punojnë edhe më shumë që angazhimi amerikan i sigurisë ndaj Kosovës, të vazhdojë të mbetet po aq i fortë. Është pothuajse sikur po e flakin tutje.
Është sikur pa nevojë po i ngulin gishtin në sy Amerikës, sepse amerikanët e kanë bërë të qartë se kjo ka rëndësi për ta, është e rëndësishme që negociatat të ecin përpara dhe që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara duan që ajo të ecë përpara në një mënyrë të drejtë për të dyja palët. Mendoj se nëse kjo nuk ndryshon dhe nëse negociatat nuk rifillojnë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara do të keqësohet edhe më shumë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo gjendje ka dëmtuar marrëdhënien me këtë administratë amerikane apo me Amerikën në përgjithësi?
James Hooper: Ka dëmtuar strukturën e marrëdhënies. Ajo që dëgjoj në Uashington, në Departamentit e Shtetit dhe gjetiu në qeveri dhe në Shtëpinë e Bardhë, ata tani i shohin kosovarët si më nacionalistë, që shkaktojnë probleme, që bëhen të vështirë për amerikanët të merren me ta.
Dhe e përsëris, nuk po them që kur amerikanët i thonë Kosovës të bëjë diçka, ata ta bëjnë duke injoruar interesat e tyre, por kur amerikanët i bëjnë të ditur Kosovës se është një çështje shumë e rëndësishme për ta, ne presim një farë bashkëpunimi dhe një reagim konstruktiv dhe që të gjejnë një mënyrë të përgjigjen dhe kjo nuk ka ndodhur.
Zëri i Amerikës: Pse është tani momenti për një marrëveshje? Po e dëgjojmë shpesh një gjë të tillë, përfshirë nga Presidenti Trump. Pse pikërisht tani?
James Hooper: Sepse në momentin që mbyllet dritarja në Beograd, nuk do të ketë më negociata për marrëveshjen. Në Beograd janë në pushtet progresistë dhe zoti Vuçiç e kupton Kosovën dhe deri ku mund të shkojë dhe çfarë duhet bërë dhe ai do që të Serbia të jetë pjesë e BE-së dhe e di që kjo është rruga për ta arritur këtë synim.
Kjo është arsyeja. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, nëse Kosova luan për të fituar kohë … E kam parë edhe në vende të tjera. Palestinezët vazhdimisht hidhnin poshtë shanse për të negociuar marrëveshje me Izraelin dhe sa here tërhiqeshin, ktheheshin mbrapsht për të njëjtën gjë dhe e kishin humbur mundësinë.
Ka momente që janë vendimtare, ka momente kur një dritare mundësie është e hapur dhe duhet të veprosh dhe ky është një moment i tillë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se ideja e këmbimit të territorit apo ndryshimit të kufirit, megjithëse duket sikur ka pasur relativisht një heshtje rreth saj së fundmi, është ende mbi tryezë dhe cilat janë shanset e saj?
James Hooper: Po, do të ketë një aspekt territori në marrëveshje, dhe duhet të ketë në mënyrë që kjo të funksionojë për të dyja palët. Nuk besoj se Maqedonia do të shpërbëhet për shkak të elementit të territorit në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Madje besoj se do ta konsolidojë stabilitetin në Maqedoni.
As nuk besoj që zoti Dodik në Bosnje do ta përdorë një marrëveshje të tillë si justifikim, për ta nxjerrë Republikën Serbe nga Bosnja dhe për ta bërë të pavarur. Prandaj unë e konsideroj një marrëveshje me territorin si element, si një faktor thelbësor, stabilizues të një marrëdhënieje të re mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëri i Amerikës: Ka ekzistuar gjithmonë një mjegull lidhur me faktin se pse zoti Haradinaj nuk vinte dot në Shtetet e Bashkuara. Fakti që ai vizitoi Shtetet e Bashkuara ditët e fundit është simbolikisht i rëndësishëm. Por gjithsesi ai shkoi në Detroit, nuk erdhi këtu në Uashington. Si e konsideroni ju këtë vizitë?
James Hooper: Nuk i di të gjitha detajet, por shpresoj që kryeministri t’ia ketë kaluar mirë në Detroit. Por ai erdhi në Shtetet e Bashkuara, amerikanët e lejuan dhe nuk pati probleme me vizën, çka mendoj se do të thotë që Shtetet e Bashkuara duan të thonë se duan një vazhdimësi në marrëdhëniet me Kosovën.
Por më ra në sy që nuk erdhi në Uashington dhe nuk e di pse por më duket se nuk do të kishte kuptim nga pala amerikane që ta mirëpriste (në këto kushte). Nëse vinte në Uashington, ai do të duhej të kishte takime. Nëse vinte në Uashington dhe nuk kishte takime, do të ishte një pozicion i papërshtatshëm për kryeministrin Haradinaj dhe do të ishte një hap prapa dhe do të dukej edhe më keq nga ç’është në të vërtetë marrëdhënia.
Pse duhet ta donin amerikanët atë në Uashington dhe kur ai po refuzon të jetë pjesë e procesit të negociatave, për të cilin amerikanët kanë thënë se është i rëndësishëm për ta? Kjo nuk është çështje e vogël, është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe ne prisnim nga Kosova që të paktën të ishte konstruktive dhe kjo nuk ka ndodhur.
Prandaj hamendja ime është që ndoshta ai nuk ishte në gjendje të siguronte takime në Uashington me zyrtarët dhe nuk donte të vihej në pozitë të vështirë, kështuqë vendosi të shkojë në një qytet tjetër, ku të paktën do të ruante marrëdhënien me amerikanët, dhe të mos merrej me problemet me ta. Kjo do të ishte analiza ime.
Zëri i Amerikës: 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s a do ta quanit Kosovën një histori suksesi apo më të ndërlikuar se aq?
James Hooper: Pa dyshim e konsideroj një histori suksesi, por është një rrugë e gjatë. Lufta i dha fund spastrimit etnik nga serbët në Kosovë dhe sundimit serb në Kosovë. Kështu Kosova hyri në një periudhë autonomie, nën ligjin ndërkombëtar, më pas shpalli pavarësinë.
Tani mendoj është koha që Kosova të ndërtojë një marrëdhënie me Serbinë që do t’i japë një pozicion të fortë në rajon, siguri të përhershme si vend i pavarur, prandaj anëtarësimi në OKB është aq i rëndësishëm.