Afera e vëlla Olsit, kulla tek stadiumi do jetë 100 metra e lartë

Debatet për kullën e stadiumit dukeshin sikur, në mos do ta eliminonin, së paku do ta ulnin lartësinë e kullës së shumëpërfolur.
Por ajo do të ngrihet edhe më e lartë. Plot 100 metra dhe parashikohet të jetë ndërtesa më e lartë në Tiranë. Sihariqin e jep gazeta “Shekulli” në pronësi të Koço Kokëdhimës, e cila shprehet me entuziazëm për këtë “qiellgërvishtës që do të çajë qiellin e Tiranës”. Me plot hijeshi, kulla e stadiumit do të jetë godina më e lartë e Tiranës. Tani e tutje stadiumi kombëtar shqiptar dhe kulla e tij do të çajnë “qiellin e Tiranës”, ose do të kthehen në qiellgërvishtësin e kryeqytetit. Kulla e famshme do të jetë ndërtesa më e madhe e qytetit dhe kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi”, shkruan “Shekulli”. Brenda stadiumit do të ketë edhe një hotel me 80 dhoma. Gazeta i referohet një shkrimi të publikuar dje nga “Repubblica”, e cila ka intervistuar arkitektin italian Marko Kazamonti. Vetë arkitekti ka konfirmuar lartësinë e kullës duke shpjeguar se, pas debateve, ajo është holluar në krahasim me projektin fillestar, por është ngjitur në lartësi.  Në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes së mediave, Rama ka miratuar në fund të muajit prill vendimin për ndërtimin e stadiumit të ri sipas projektit klientelist. Ajo çka e thellon edhe më tej skandalin është fakti se nga 19 kate që parashikohej të ndërtohej kulla brenda projektit të stadiumit ajo do të jetë me 24 kate. Vendimi është marrë një muaj më parë, ndërsa Rama ka urdhëruar mos zbardhjen e tij, duke fshehur kështu dokumentacionin e projektit. Opozita prej kohësh ka kundërshtuar këtë projekt, ndërsa i ka kërkuar Ramës të bëjë transparencën e plotë të vendimmarrjes, por deri tani qeveria ka heshtur. Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim Nr. 01, datë 29.04.2016 për “Miratimin e lejes së zhvillimit në objektin ‘Kompleksi i ri i stadiumit kombëtar, Tirana’”, ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e këtij objekti. Në këtë mbledhje, KKT-ja vendosi: Së pari, miratimin e lejes së ndërtimit për stadiumin kombëtar. Së dyti, harta e planvendosjes së strukturave, e cila i është bashkëlidhur këtij vendimi. Së treti, procedurat administrative ligjore për objektin do të vijohen nga Bashkia e Tiranës. Së katërti, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ngarkohet për zbatimin e vendimit. Dhe së fundmi, por vetëm për kohëzgjatje të vendimit, është që ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tij. Stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së pestë, më të lartë, për nga parametrat cilësorë që do të ofrojë si stadium, por i katërt për nga kategoria për shkak të numrit të spektatorëve, do të ketë gjithashtu edhe një kullë në strukturë. Më parë u përfol se lartësia e saj do të ishte 19 kate, mirëpo në vendim është parashikuar se lartësia e saj do të jetë 24 kate mbi tokë.

Exit mobile version