DASH; Shqipëria të bëjë përpjekje efikase kundër terrorizimit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për terrorizmin në rang botëror për vitin 2015. Në kapitullin për Shqipërinë shkruhet se ka dhënë një mbështetje të fortë për përpjekjet kundër terrorizmit në 2015 dhe se ka vazhduar me pjesëmarrjen në Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik. Përmendet edhe dhurimi i sasive të konsiderueshme të armëve dhe municioneve për forcat Peshmerga në veri të Irakut. Sipas Depratamentit Amerikan të Shtetit, legjislacioni shqiptar dënon aktet terroriste, financimin e terrorizmit, grumbullimin, transferimin dhe mbledhjen e fondeve për të financuar terrorizmin, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e personave që marrin pjesë në organizata terroriste. “Në 2014, Parlamenti shtoi tre nene në Kodin Penal që kanë për qëllim forcimin e aftësive të qeverisë për t’u përballur me shqiptarët, të cilët i bashkohen luftës në konfliktin sirian”, shkruan DASH. Pavarësisht ndryshimeve të bëra deri më tani, DASH këshillon Shqipërinë që të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar në mënyrë efikase terrorizmin. Gjithashtu, përmendet se DASH ka ndihmuar në shumë trajnime autoritetet shqiptare, si dhe ato të ballkanit. “Korrupsioni i kombinuar me një sistem drejtësie që funksionon dobët, vazhdon që të pengojë përpjekjet e Shqipërisë për të vendosur rend në të gjitha nivelet”, shkruhet në raport. Një pjesë e veçantë i është kushtuar luftimit të financimit të terrorizmit, luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar e rajonal. Ndërkohë për sa i përket Kosovës, raporti tregon se ka pasur një rritje graduale që nga viti 1999 të kërcënimit të ekstremizmit të dhunshëm islamik. DASH bën të ditur se rreth 300 kosovarë i janë bashkuar organizatave terroriste si ISIS dhe Al Nsura në Siri dhe Irak. Theksohet se 50 prej tyre janë vrarë. DASH shkruan se në Kosovë ka grupe të dhunshme ekstremiste që përdorin në mënyrë aktive mediat sociale për propagandë dhe për të rekrutuar luftëtarë. Raporti thekson se në 2015, nuk ka pasur incidente terroriste në Kosovë, pavarësisht se ka pasur të arrestuar të dyshuar për planifikimin e sulmeve të tilla. Ndërkohë, për sa i përket luftës kundër terrorizmit të qeverisë kosovare, DASH nënvizon se deri më tani ka përpjekje të mira dhe se Kosova është në rrugën e duhur.

Exit mobile version