Afera ‘Partizani’, Berisha për herë të parë në SPAK! Shoqërohet nga efektivë policie

Për herë të parë, ish-kryeministri Sali Berisha paraqitet në SPAK. Kjo është hera e parë që Berisha përballet me drejtësinë për aferën Partizani, ku do të merret në pyetje përballë prokurorëve Enkeleda Minollai dhe Arben Kraja.

Seanca nisi në orën 10:00. Policia zbarkoi poshtë pallatit të tij, për ta shoqëruar në Prokurorinë e Posaçme. Berisha shkoi drejt SPAK me makinën e tij, ndërsa u shoqërua edhe nga dy makina të tjera të Policisë së Shtetit.

Para SPAK janë mbledhur një grusht militantësh, ndërsa Berisha shoqërohej edhe nga Flamur Noka dhe Luçiano Boçi. Teksa hynte në Prokurorinë e Posaçme, Berisha sulmoi organet e drejtësisë.

“Jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë që angazhohet në betejë kundër pluralizmit”, tha Berisha.

Dy ditë më pas, më 25 janar, SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje edhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në hetim edhe për pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani. Mes këtyre 2 datave, pritet një zhvillimi rëndësishëm. Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Ilirjana Olldashi do të shqyrtojë kërkesën e Berishës për heqjen e “arrest shtëpie” dhe përjashtimin e Irena Gjokës, gjyqtares që ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj ish-kryeministrit.

Exit mobile version