E ardhmja e Arlind Ajetit mbetet pezull. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ka ende shumë dilema. Dëshira e tij më e madhe është të qëndrojë te Torino dhe të fitojë një vend në formacionin e skuadrës “Granata”, por duke qenë se trajneri Sinisa Mihajloviç nuk po i jep asnjë shans për të treguar aftësitë e tij, mundësitë më të mëdha janë që 23-vjeçari të largohet në merkaton e janarit. Për Ajetin interesohen shumë skuadra. Massimo Oddo e dëshiron me çdo kusht te Pescara, madje bëri përpjekje të mëdha për ta patur te skuadra abruceze edhe në merkaton e verës.
Me afrimin e Ajetit Pescara do të blindonte mbrojtjen, por ish-lojtari i Frosinones për momentin nuk e shikon si prioritet kalimin te ekipi abrucez. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, kuqeziu për momentin po vlerëson disa oferta të rëndësishme që i kanë ardhur nga klube jashtë Italisë. Ende nuk bëhen të ditura emrat e skuadrave që interesohen për Ajetin nga kampionatet e tjera, por gjithsesi bëhet fjalë për ekipe që luajnë në ligat kryesore të Europës. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë mbrojtësi shqiptar, por janari pavarësisht temperaturave të ftohta për të ardhmen e Arlind Ajetit do të jetë një muaj shumë i nxehtë.