Rey Manaj drejt Bundesligës?

Një tjetër pistë në horizont për Rey Manajn. Pak ditë më parë mediat italiane identifikuan Las Palmas në La Liga si destinacionin më të mundshëm për sulmuesin e kombëtares, ndërsa tani Gianluca di Marzio, gazetari i njohur italian i mirinformuar në lidhje me çështjet e merkatos, shkruan se e ardhmja e 19-vjeçarit mund të jetë edhe në Bundesliga. Në faqen e tij në web Di Marzio bën të ditur se për Manajn po interesohet Ingolstad, skuadër që aktualisht ndodhet në vendin e parafundit të Bundesligës dhe synon të sigurojë mbijetesën. Sulmuesi, kartoni i të cilit është në pronësi të Interit, gjatë fazës së parë shënoi dy gola në Serinë A pasi u aktivizua në 12 ndeshje, vetëm në katër prej tyre si titullar, nën urdhrat e Massimo Oddos dhe tanimë është në kërkim të një destinacioni të ri ku mund të aktivizohet më në vazhdimësi për të shfaqur vlerat e tij. Ingolstad së shpejti mund të bëjë një ofertë zyrtare për Manajn, i cili bashkë me agjentin e tij, ish-portierin e mirënjohur Jimmy Fontana, ju duhet të vlerësojnë me kujdes alternativat për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme në këtë merkato janari për sulmuesin.

Exit mobile version