Arlind Ajeti tashmë është një titullar i padiskutueshëm i Frosinones. Te mbrojtësi shqiptar skuadra e Stellones ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe për meritë edhe të 22-vjeçarit të Kombëtares Kuqezi ka shanse të mira për të siguruar mbijetesën, kur kanë mbetur edhe 8 ndeshje deri në përfundim të sezonit. Edhe në sfidën e radhës ndaj Genoas në transfertë, Ajeti do të luajë që nga fillimi, pasi Frosinone nuk mund të bëjë dot pa të.
Praninë e ish-lojtarit të Baselit në formacionin titullar e konfirmoi trajneri Roberto Stellone në konferencën për shtyp me këtë të fundit që pritet ta rreshtojë Ajetin në qendër të prapavijës përkrah italianit Leonardo Blanchard. Me 27 pikë të grumbulluara pas 30 ndeshjeve skuadra nga krahina e Lazios ka nevojë për një rezultat pozitiv në takimin ndaj Genoas për të patur akoma edhe më shumë shanse për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit italian edhe për një tjetër sezon. Për të kuptuar rëndësinë e Ajetit te Frosinone mjafton t’u hedhësh një sy statistikave.
Në 11 takime gjithsej me Ajetin në fushë skuadra e trajnerit Stellone ka pësuar vetëm 14 gola me një mesatare prej 1,27 golash për takim, ndërkohë që në këto 11 sfida Frosinone ka grumbulluar në total 13 pikë nga 27 gjithsej në 30 takime. Nëse shikojmë ndeshjet e skuadrës së Stellones pa Arlind Ajetin në formacion gjatë këtij sezoni, Frosinone ka pësuar 41 gola në 19 sfida, duke u ndëshkuar mesatarisht 2,15 herë për takim.
Edhe pikët e grumbulluara janë shumë pak vetëm 14 në 8 ndeshje më shumë. Për të përshkruar të gjitha këto stastika mjafton të thuash, te Arlind Ajeti, Frosinone ka gjetur sigurinë në prapavijë dhe nëse kjo skuadër arrin të mbijetojë në Serinë A, një meritë të madhe do ta ketë padiskutim mbrojtësi shqiptar, i cili e nisi me një gol ndaj Sassuolos që në debutim aventurën e tij italiane. Arlind Ajeti u aktivizua si titullar edhe në ndeshjen miqësore, që Shqipëria fitoi me rezultatin 2-0 përballë Lukemsburgut në transfertë, duke zhvilluar një paraqitje shumë të mirë.
Berisha, gol dhe të kuq në fitoren e Melbourne
Besart Berisha bëhet sërish protagonist në Kampionatin australian, edhe pse këtë herë nuk janë vetëm golat e tij që bëjnë bujë. Sulmuesi shqiptar u aktivizua titullar në transfertën e Wellington ku skuadra e tij, Melbourne Victory siguroi një fitore të thellë me rezultatin 4-1. Ishte pikërisht Berisha, ai që shënoi golin e parë të sfidës në minutën e 8, por 10 minuta nga fundi, ai u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një gjesti jo të lejueshëm, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Ishte minuta e 33-të kur ndaj sulmuesit shqiptar, një prej kundërshtarëve ndërhyri ashpër me bërryl.
Berisha u rrëzua përtokë dhe pas protestave të lojtarëve të Wellington, ai shtyu një lojtar me këmbë dhe kjo skenë ndodhi në praninë e arbitrit të ndeshjes që nuk e kurseu të kuqin për numrin 8. Ky gjest mund t’i kushtojë shtrenjë Berishës dhe skuadrës së Melbourne Victory. Nëse shqiptari dënohet më shumë se një ndeshje, ai do t’i humbasë përballjen e parë play off për titullin kampion. Me suksesin në fushën e Wellington në javën e parafundit, Malbourne Victory mban vendin e dytë dhe do të luftojë për të mbrojtur titullin kampion. Berisha numëron 17 gola sezonalë me fanellën e skuadrës së Melbourne, ku u transferua rreth dy vjet më parë.