Rritet kosto e komunikimit në celular për shumicën e konsumatorëve

Ditët e fundit, tre nga katër kompanitë celulare në vend, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom kanë shkurtuar afatin e vlefshmërisë për pjesën më të madhe të paketave mujore për klientët e tyre, duke i bërë ato 28 ditë, nga mujore (30 ditë) që ishin më parë.
Burime nga kompanitë pohuan se këto ndryshime janë bërë pasi ofertat janë përshtatur në bazë javore, pra 4 javë (28 ditë) dhe ata i kanë njoftuar klientët për këtë veprim. Siç është edhe praktikë në këto raste, njoftimi bëhet pa bujën e reklamave ekstravagante të cilat promovojnë produktet e këtyre kompanive dhe në hapësira publicitare minimale, por që përmbushin detyrimin ligjor të njoftimit të klientelës.
Ajo që ndodh tashmë është se në momentin që aktivizon ofertën, klienti njoftohet që oferta zgjat 28 ditë. Ndërsa, në faqet e internetit përkatëse të kompanive, ku gjenden dhe ofertat e reja, është e vështirë të gjesh se për çfarë periudhe është e vlefshme oferta.
Në rrjetet sociale, konsumatorët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me këtë ndryshim të ofertave nga 30 në 28 ditë, që sipas tyre nënkupton shtrenjtim të çmimit, pasi hiqen dy ditë nga oferta.
Psh për paketën standarde prej 1000 lekësh, vetëm nga shkurtimi i saj me dy ditë, çmimi është shtrenjtuar me 7% (35.7 lekë në ditë nga 33.3 lekë në ditë që ishte më parë). Për paketën 1500 lekë, nga 50 lekë në ditë, shkon në 53.6 lekë.
Në vit, një klient që blen rregullisht karta 1,000 lekëshe, duhet të shpenzojë rreth 900 lekë më shumë për të njëjtën kohë bisede (19,554 lekë për 365 ditë), apo pothuajse një kartë tjetër, duke e çuar numrin e kartave nga 12 në vit në gati 13 në vit.

Exit mobile version