Ajeti titullar në transfertë me Empolin

Vjen momenti i Arlind Ajetit te Torino. Mbrojtësi shqiptar do të luajë titullar në transfertë me Empolin për shkak të mungesave që ka Mihajloviç në qendrën e mbrojtjes. Bëhet fjalë për debutimin e tij në Serinë A, pasi më parë është aktivizuar vetëm në një takim në Kupën e Italisë. 23-vjeçari u shfaq përkrah trajnerit serb në konferencën për shtyp, ku theksoi se dëshiron të ketë më shumë hapësira në formacion.
“Normalisht prisja që të luaja më shumë, por nuk i dihet kurrë në futboll, çdo futbollist dëshiron të luajë më shumë. U dëmtova gjatë grumbullimit para se të niste sezoni dhe natyrisht e kisha më të vështirë të kthehesha pas këtij dëmtimi. Tani besoj se po stërvitem mirë, të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Ajeti.
Megjithatë në asnjë moment futbollisti i Kombëtares shqiptare nuk i vë në diskutim vendimet e trajnerit. “Për aktivizimin tim vendos trajneri, detyra ime është të jap 100% në stërvitje dhe të pranoj vendimet e misterit. Jam përpjekur të bëj atë që më kanë kërkuar, e ndoshta duhet të përpiqem më shumë”, tha Ajeti.
Ndërsa Sinisa Mihajloviç nuk ngurroi të tregonte në cilat aspekte duhet të përmirësohet Ajeti, duke qenë se nuk i mungon grinta dhe karakteri.
“Ajeti është ndryshe nga mbrojtësit e tjerë, është një mbrojtës klasik në mbulimin një për një, thjesht duhet të mësojë ta luajë sa më shpejt topin dhe të marrë përsipër rrezikun në ndryshimin e lojës. Përsa i përket grintës dhe karakterit është Ok, por ka qenë i penalizuar nga dy dëmtime që ka pësuar. Të gjithë kanë mundësi për të luajtur dhe shpresoj që dëshira e madhe që ka për të qenë në fushë ta ndihmojë që të japë maksimumin”, përfundoi trajneri i Torinos.

Exit mobile version