Largon presionin

Interi i shkaktoi humbjen e parë Juventusit në këtë sezon të Serisë A, madje ishte një fitore me përmbysje e zikaltërve, që zhvlerësuan golin e Lihsteiner. Këtë të diel, do të luhet akti i dytë sezonal i derbit të Italisë, por Massimiliano Alegri nuk dëshiron t’i karikojë më shumë se ç’duhet të besuarit e tij, ndryshe nga Pioli, i cili një ditë më parë “thumboi” bardhezinjtë, duke u shprehur se nëse në karrierën e tij nuk e kishte mundur kurrë Juventusin, kjo ka ndodhur, sepse nuk kishte qenë trajner i Interit.
“Nuk luajmë për hakmarrje. Ajo e fazës së parë ishte një ndeshje e çuditshme, ku ne i paguam shtrenjtë gabimet tona. E dimë forcën e Interit, por është një takim që vlen vetëm tri pikë, sikurse ndaj Crotones. Pritet një derbi i bukur, ndaj një skuadre me shumë potencial që sezonin e ardhshëm do të jetë pretendent për të fituar titullin”, u shpreh Alegri.
Përplasja me Dybalan për trajnerin bardhezi është çështja e mbyllur, madje Alegri sheh te argjentinasi cilësitë e një futbollisti të aftë për të fituar “Topin e Artë”. “Kur një trajner vendos të zëvendësojë një lojtar, ka arsyet e tij. Dybala po luan sezonin e tij të dytë te Juventusi. Në vitin e parë nuk i kërkuam asgjë, por tani është nën vëzhgim çdo të dielë. Po ecën në rrugën e një lojtari të madh dhe mund të fitojë Topin e Artë”, tha ai.
Alegri sqaroi se, Barzagli është në dyshim për shkak të gjendjes gripale, ndërsa Marchisio është i gatshëm për lojë. Ndërsa për Pjanic, trajneri lugurian u shpreh se është një lojtar i mrekullueshëm. Përsa i përket të ardhmes së tij, 49-vjeçari theksoi se ka edhe një vit e gjysmë kontratë dhe do të bisedojë me drejtuesit në fund të sezonit rinovimin e mundshëm, pasi të jenë pjekur kishtet për ta hedhur këtë hap.
Ndërkohë, Andi Zeqiri, talenti shqiptar, i cili në të njëjtën kohë ka edhe pasaportën zvicerane (shtet ku ka lindur), po e “reklamon” veten me gola në Torino, por edhe në arenën europiane. Sulmuesi që u transferua verën e kaluar te Juventusi pas aventurës te Lozana, po bën gjëra mahnitëse, falë të cilave ka fituar menjëherë besimin e trajnerit Fabio Groso. Dje, në sfidën që bardhezinjtë luajtën kundër Kremonezes, e vlefshme për kampionatin U-19, shqiptari Zeqiri mori për dore “Zonjën e Vjetër” dhe e drejtoi atë te fitorja.
Edhe pse bardhezinjve u mungonin dy lojtarët e tyre më të mirë, Klemenza dhe Kin, pa harruar të huazuarin Kastanos te Peskara, ekipit të Grosos i mjaftuan cilësitë fantastike të Zeqirit për të arritur një fitore të lehtë dhe për të marrë vendin e parë në renditje për Grupin B. 17-vjeçari ishte më i rrezikshmi në pjesën e parë, kur në minutën e 24-t goditi traversën me të majtën.
45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0, por në fraksionin e dytë të lojës, Juventusi nuk mund të gabonte më, dhe pasi Mosti kaloi në avantazh të tijtë nga pika e penalltisë, Zeqiri shënoi dy herë radhazi, duke mbyllur llogaritë me fitoren. Në të 60-ën ai u tregua më i shpejtë se portieri kundërshtar në dalje dhe dërgoi në rrjetë asistin me thembër të Mostit. Ndërsa dopieta personale për shqiptarozviceranin erdhi vetëm 5 minuta më vonë, duke përfituar nga një pakujdesi e portierit. Kaq mjaftoi që Juventusi të triumfonte, ndërsa Andi Zeqiri të fitonte vëmendjen e trajnerit dhe drejtuesve torinezë, të cilët me shumë mundësi do ta blejnë përfundimisht kartonin e tij.

Exit mobile version