Aksi Berlin-Londër, i rëndësishëm për Theresa May

Vizita e Theresa May-t në Berlin ishte e ngjeshur: Në orën 17:30 pritje me nderime ushtarake. Pas takimit kokë më kokë dhe para darkës zyrtare një konferencë e përbashkët shtypi. Vëmendjes së gazetarëve nuk i shpëtuan as këpucët e May, e njohur për stilin e saj ekstravagant të këpucëve. Kryeministrja britanike kishte veshur këpucë leopardi, ato që i kish veshur edhe gjatë vizitës së parë tek Mbretëresha Elisabeth, gjë që që shtoi spekulimet si një nderim për mbretëreshën e pakurorëzuar të Europës, Merkel.

Nuk ka vetëm Brexit
Në fillim si Merkel dhe May dukeshin tejet të tensionuara, kur u shfaqën para foltores. Rëndësia e temave në axhendë sikur ishte vulosur në fytyrë. Por gjatë deklaratave të dy kryetaret e qeverive u afruan me njëra-tjetrën. May theksoi se Britania e Madhe edhe pas Brexit do të jetë pjesë e Europës, dhe se nuk ndahemi nga miqtë. Të dy vendet i lidh besimi në tregjet e lira dhe rritje ekonomike, si dhe krizat ndërkombëtare si ajo në Siri apo Ukrainë. As Merkeli nuk përhapi ndonjë atmosferë apokaliptike. Bindjet dhe vlerat e njëjta mbeten megjithë Brexit, po ashtu si bashkëpunimi në G7 dhe formatin G20 apo në NATO, tha Merkel.
Lidhur me Brexit u përsëritën edhe një herë pozicionet e njohura. Merkel kujtoi edhe një herë nenin 50 të marrëveshjeve europiane dhe se më parë nuk fillojnë negociatat. May theksoi se Brexit mbetet Brexit.

Konstruktive!
Interesante të vështrohej ishte edhe gjuha e zgjedhur nga Kryeministrja britanike. Shpesh ajo përdorte fjalën “konstruktive”. Për të duhej respektuar vullneti i votuesve britanikë, por nuk duhen harruar edhe interesat e europianëve. Vetëm para fundit të vitit mund të qartësohen objektivat për procesin e ndarjes, theksoi May. Nga Kancelarja gjermane u shfaq mirëkuptim: Pozicione të qarta janë në interesin e përbashkët. Mungesa e qetësisë është e panevojshme.
Pas një pyetje të gazetarëve të dyja politikanet konfirmuan se për shkak të socializimit të njëjtë (Merkel dhe May janë bija pastorësh protestantë dhe kanë studiuar shkencat natyrore) ato komunikojnë mirë me njëra-tjetrën. Në atmosferën e çliruar, Merkeli la të kuptohej se i gëzohet negociatave, britanikët njihen për strategjinë e tyre të stërholluar të negociimit si të barabartë. Ndërsa Merkeli njihet që i pranon si sfida për t’u tejkaluar, negociatat e vështira.

Exit mobile version