Trump: Mbrojtje me kushte aleatëve

Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale, Donald Trump foli dje për qëndrimin që do të mbajë gjatë presidencës së tij ndaj aleancës së NATO-s. Zoti Trump tha për gazetën “The New York Times”, se do të vërë kushte për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s ndaj një sulmi të mundshëm, një qëndrim që u kundërshtua menjëherë nga Uashingtoni dhe vende të tjera.
Zoti Trump e vuri në pikëpyetje nenin e Aleancës lidhur me angazhimin për një mbrojtje automatike të anëtarëve të Aleancës, duke thënë se fillimisht do të shihte kontributin e tyre në NATO.
Ai i bëri komentet i pyetur nëse do t’i mbronte vendet balltike nga veprimtaritë kërcënuese të Rusisë. Ai tha se nëse Rusia i kërcënonte, ai do të vendoste nëse do t’i ndihmonte apo jo, pasi të vërtetonte nëse i kishin plotësuar angazhimet e tyre.
Zoti Trump shtoi se do t’i detyronte aleatët që të mbulonin koston e mbrojtjes që Shtetet e Bashkuara e kanë përballuar prej dekadash, do të anulonte traktate që i sheh si të pafavorshme dhe do të ripërkufizonte se ç’do të thoshte të jesh partner i Shteteve të Bashkuara. Gazeta e citon zotin Trump të thotë se bota duhet të mësohet me qëndrimin e tij.
Shtëpia e Bardhë, reagoi pas komenteve të zotit Trump.
“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë për politikën që ka ndjekur Presidenti, që është një angazhim i palëkundur ndaj aleancës sonë të NATO-s. Guri i themelit i kësaj aleance është premtimi që kanë bërë të gjithë anëtarët e saj për një mbrojtje reciproke. Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij angazhimi është i padiskutueshëm”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Zoti Earnest tha se një nga prioritetet e zotit Obama gjatë presidencës së tij ka qenë forcimi i Aleancës transatlantike dhe në disa raste edhe zgjerimi.
“NATO-ja pranoi një vend të ri Malin e Zi në takimin e fundit të nivelit të lartë”, tha zoti Earnest.
Ai theksoi se politika e NATO është në qendër të sigurisë kombëtare amerikane dhe është ndjekur nga çdo President amerikan demokrat ose republikan që pas Luftës së Dytë Botërore.
Komentet e zotit Trump binin ndesh edhe me deklaratat e kandidatit të tij për nënpresident Mike Pence dje që foli për një qëndrim përkrah aleatëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha për “BuzzFeed News” se “solidariteti mes aleatëve është një vlerë jetike e NATO-s. Kjo është në favor të sigurisë europiane dhe në favor të sigurisë amerikane. Ne mbrojmë njëri-tjetrin”.
Reagime pati edhe nga Presidenti i Estonisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndëratlantike.

Exit mobile version