Aksidentet, ja rruga me numrin më të lartë të viktimave

Shumica e aksidenteve rrugore ndodhin për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të mjeteve, por të udhëtosh në disa zona të vendit është e rrezikshme edhe për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë rrugore.
Një “njollë” e zezë ku vazhdimisht ndodhin aksidente me pasoja të rënda për jetën është aksi Lezhë-Shkodër në kryqëzimin e “Shënkollit” apo kthesën e “Fishtës”.
Në këtë aks mungojnë edhe mbikalimet për këmbësorët, por edhe daljet e shumta në autostradë në kundërshtim me Kodin Rrugor. Problem mbetet edhe aksi Tiranë-Rinas në kthesat e Laknasit dhe Bërxullës, por këto janë vetëm disa nga rrugët ku kërkohet ndërhyrje.
Në të gjithë Shqipërisë konstatohen 65 pika, të quajtura “njolla të zeza”. Është ky rezultati i një studimi që po kryhet dhe financohet në bashkëpunim me partnerët e huaj, i cili synon rifreskimin e listës së “black spoteve” në vend.
Shumica e zonave të rrezikshme janë konstatuar në rrjetin rrugor kombëtar, ku edhe lëvizja e automjeteve është më e madhe. Njollë e zezë përkufizohet një segment rrugor 300 deri 500 metra në të cilin brenda 3 vjetëve kanë ndodhur 3 ose më shumë aksidente me pasojë vdekjen. Por në raport me vitet e kaluara, numri i njollave të zeza është ulur si pasojë e rikonstruksioneve ose ndërtimit të rrugëve të reja.

 

Exit mobile version