Aksidenti me 3 të vdekur, dëshmitari rrëfen ulërimat e klithmat e pasagjerëve

Dëshmitarët në vendin e aksidentit të djeshëm në Gjirokastër, ku humbi jetën nëna me fëmijën e vogël dhe familja kosovare humbi djalin 2 vjeç, kanë thënë se përplasja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dëgjuar në një rreze gati 300 metra. Lelo Metaj, njëri prej dëshmitarëve që është gjendur rastësisht në vendin e ngjarjes, rrëfen për gazetën “Panorama” atë çfarë ka ndodhur në orën 14:00 të së dielës. Sipas tij, goditja ka qenë shumë e fortë, aq sa është dukur sikur ka shpërthyer ndonjë granatë difensive.
Madje, sipas Lelos, nga kurioziteti kanë dalë nga bazeni që shërben për t’u larë aty pranë vendit të ngjarjes të gjithë plazhistët. “Ka qenë një katastrofë e vërtetë. Unë gjendesha këtu para pikës së furnizimit me karburant, sepse prisja një njeriun tim që të vinte e të më merrte nga këtej për në fshat lart (Mashkullorë). Kam qëndruar deri në momentin që ka ndodhur përplasja e madhe. Aty kam parë se çfarë është të drejtosh makinën siç e drejtoi ai djalim makinën e zezë (autoveturën ‘Nissan’). Makina e vogël doli nga korsia e vet dhe u përplas me furgonin që, para se të ndodhte fatkeqësia, i binte borisë pa pushim. Ka qenë kjo bori që mua më tërhoqi vëmendjen dhe menduam se kushedi se çfarë kishte. Kur kam kthyer kokën, ndodhi përplasja”, thotë ai.
“Kam dëgjuar ulërima grash brenda në furgon dhe klithma therëse. Vetura bëri disa salto e përfundoi matanë rrugës, ndërsa furgoni me pasagjerë brenda është përmbysur dy herë dhe ka ardhur prapë në pikën fillestare”, përfundoi ai.
Dy drejtuesit e mjeteve të përfshira dje në aksidentin në Gjirokastër, ku humbën jetën 3 persona, mes tyre dy fëmijë, kanë përfunduar në pranga. Burime nga policia lokale bënë me dije se bëhet fjalë për Hasan Dedjan, 58 vjeç, banues në Tiranë dhe Irfan Hasanin, 31 vjeç, banues në Gjilan të Kosovës. Këta dy persona akuzohen për ‘Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor’.
Po të njëjtat burime pohuan se dje në orën 14:00, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur kryqëzimin i rrugës Mashkullorë, mjeti “Nisan” me targa ZH 750960 që drejtohej nga Hasani është përplasur me mjetin furgon “Benz” me targa AA760LI që drejtohej nga Dedja dhe si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën Albana Hasani, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, e bija D. D, 9 muajshe që ndodheshin në mjetin me targa AA 760 LI dhe shtetasi L.H., 1 vjeç e gjysmë që ndodhej në mjetin me targa zvicerane.
Ndërkohë, nga aksidenti ku mbetën të plagosur janë shtetasit P. H., 26 vjeçe, H. D., G. Sh., K. Gj., 9 vjeç, E. Gj., 13 vjeç, L. H., 3 vjeç e gjysmë, E. Gj., dhe I.H, të cilët pasi morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër u transportuan për ndihmë mjekësore më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Exit mobile version