Shpërthen një skaf në mes të detit në Himarë, panik tek pushuesit

Një mjet lundrues ka shpërthyer në Himarë, duke shkaktuar panik tek qytetarët dhe pushuesit.
Deri tani mësohet se në mjetin lundrues kanë qenë dy persona, të cilët janë hedhur në ujë, duke mos pësuar dëmtime. Nuk ka informacion zyrtar për shkaqet e këtij shpërthimi. Burime zyrtare nga policia thanë se, mjeti lundrues ishte nisur nga Durrësi, nga ishin edhe dy personat që u hodhën në det për të shpëtuar. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20, kur është njoftuar se një mjet lundrues është përfshirë nga flakët.
Policia bëri të ditur se, ngjarja e ndodhur në vijën bregdetare të Himarës, pranë vendit të quajtur “Llaman”, ku mjeti lundrues tip skaf “Liburnet 1” dyshohet se për shkak të nxehjes së motorit ka filluar të marrë flakë dhe për pasojë janë shpëtuar nga ndërhyrja e Policisë Kufitare, 2 shtetasit, A.B., banues në Durrës (drejtues i mjetit lundrues) dhe D.D., me banim në Durrës (pasagjer), të cilët ishin pjesë e bordit të këtij skafi:
Dyshohet se ngjarja ka ardhur për shkaqe aksidentale, pasi sipas deklarimeve të 2 personave të bordit, atyre u është fikur motori 200 m larg bregut të “Gjirit të Filikurit”, Himarë dhe në tentativë për ta ndezur përsëri, motori ka dhënë shkëndijë elektrike, duke pasuar kështu me përhapjen e flakëve të zjarrit. Mjeti lundrues ka qenë konform rregullave ligjore, aktualisht situata është nën kontroll, kryhen veprimet e mëtejshme nga Policia Kufitare.
Të dielën ka ndodhur një incident mes dy mjeteve të lundrimit në brigjet e Karaburunit. Dy mjete janë përplasur lehtë me njëra-tjetrën, por fatmirësisht nga kjo përplasje nuk ka pasur pasojë në njerëz, por vetëm dëme materiale. Ky incident u shkaktua nga anija turistike “Black Pearl”, e cila ka kryer një manovër të gabuar, duke përplasur lehtë një skaf që ishte ankoruar. Policia Kufitare e Vlorës ka ndëshkuar me gjobë anijen turistike “Black Pearl”, sepse anija nuk kishte në bord dokumentacionin përkatës dhe nuk kishte njoftuar për itinerarin e lëvizjes së sotme.
Nga ky incident është pezulluar nga detyra më urdhër të Drejtorisë së Policisë së Kufirit Vlorë patrulla e policisë që kishte shkuar për kontroll tek mjeti lundrues dhe u dërgua për ndjekje të procedurave të mëtejshme nga Drejtoria e Standarteve, për shkelje të Etikës.

Exit mobile version