Aksidentohet autobusi Athinë-Tiranë pranë Ujit të Ftohtë, 31 të plagosur

Një autobus i linjës Athinë-Tiranë u aksidentua në zonën e Ujit të Ftohtë në Gjirokastër. Për fat të mirë nga 41 pasagjerët në bord, pati vetëm të aksidentuar jashtë rrezikut për jetën. Lagështira në rrugë si pasojë e reshjeve gjatë natës dhe shpejtësia me të cilin udhëtonte mjeti, dyshohet të kenë qenë shkak për aksidentin.
Aksidentohet në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, autobusi i linjës Athinë-Tiranë në të cilin udhëtonin  41 pasagjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:40, në vendin e quajtur si Uji i Ftohtë, një segment i njohur problematik.
Autobusi i drejtuar nga 50-vjeçari, Ilia Filo, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Sipas dëshmive nga vendngjarja mësohet se autobusi ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore.
Pasagjerët tregojnë se në momentin, kur autobusi u përmbys pranë Ujit të Ftohtë, ishin në gjumë dhe kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të dalë nga autobusi, duke thyer xhamat dhe dritaret.
“Sapo ra, atëherë e kuptova dhe pastaj ndihmuam njëri-tjetrin. Erdhi policia, erdhi dhe ambulanca, erdhën shumë shpejt. Unë jam nga Dibra dhe banoj në Sukth. Vija nga Athina për në Durrës. Dolëm thyem xhamat, na ndihmuan autobusët e tjerë që vinin nga mbrapa. Vetëm nga rruga dhe shiu, ose një çikë shpejtësia që u fut në kthesë”, u shpreh një pasagjer.
Pasagjeri tjetër: Nuk kam marrë vesh asgjë, isha në gjumë. Vetëm kur e kam parë veten jashtë, pasi më kanë nxjerrë njerëzit. Isha në asfalt. Pashë njerëz të plagosur dhe kishte dhe shumë njerëz brenda të plagosur.
Sipas policisë mes të plagosurve është dhe një fëmijë 1 vjeç, ndërkohë që mjekët e Spitalit të Gjirokastrës informuan që të 31 të plagosurit që u paraqitën janë jashtë rrezikut për jetën, por 12 prej tyre janë shtruar dhe kanë shembje dhe trauma të shpatullës.
Mjeku kirurg, Roland Karalli: Nga gjendja që paraqesin aktualisht nuk ka asnjë që t’i rrezikohet jeta, janë të shembur, janë disa me fraktura të klavikulës, nuk kanë ndonjë problem jetësor. Megjithatë, trauma nuk ka 100% siguri, sepse mund të ndodhë një komplikacion pas orësh, ndoshta dhe pas ditësh, që ne do ta shikojmë, do ta ndjekim.
Policia e Gjirokastrës ka nisur hetimet për aksidentin e autobusit dhe paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë lagështira në rrugë, por dhe shpejtësia e madhe e mjetit.

Exit mobile version