Përplasen dy makina humb jetën 50-vjeçarja, 5 plagosen në Lezhë

Një grua humbi jetën, ndërsa 5 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas përplasjes së dy automjeteve në superstradën Lezhë-Shkodër. Aksidenti ndodhi rreth orës 17:00 në vendin e quajtur kryqëzimi i Blinishtit.
Në tentativë për të dalë nga rruga dytësore për në supestradë një automjet tip “Benz” ku udhëtonin 4 persona u godit nga një mjet tip “Audi” në të cilin udhëtonin drejtuesi i mjetit dhe një person tjetër. Përplasja e mjeteve ka qenë e fortë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të gruas, e cila është identifikuar si shtetasja Fatmira Ndregjoni rreth 50-vjeçe, e cila ishte pasagjere në sedilen e pasme të mjetit tip “Benz”.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 5 persona të tjerë, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën mjekësore. Për të nxjerrë viktimën dhe dy prej të aksidentuarve, të cilët lëviznin me mjetin tip “Benz” është dashur më shumë se 30 minuta, ndërsa kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, duke prerë disa pjesë të mjetit për shkak të dëmtimëve të shumta që kishte pësuar.
Nga hetimet e para të policisë është bërë e ditur, se shkak për aksidentin është bërë dalje në mënyrë të menjëhershme e automjetit tip “Benz” në superstradë. Drejtuesi i mjetit nuk e ka parë mjetin tjetër, i cili po lëvizte me shpejtësi, duke sjellë edhe përplasjen.
Vendosja e barrierave në kryqëzimin e Blinishtit ka bllokuar pamjen e drejtuesve të mjeteve, duke krijuar një kthesë 90 gradë. Kjo ka bërë që ky vend të kthehet në një burim të sigurtë aksidentesh. Vetëm një javë më parë, ndodhi një aksident i tillë, por fatmirësisht pa viktima. Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon të heshtë përballë kësaj problematike, e cila është ngritur muaj më parë nga media dhe banorë të zonës.

Exit mobile version