Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër një pjesëtari të komunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në përleshjet e dhunshme me forcat paqeruajtëse të NATO-s në fund të majit të vitit të kaluar.
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se personi që u identifikua vetëm më inicialet e tij L.D, akuzohet për veprat “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”.
Sipas aktakuzës “i pandehuri me datën 29 maj 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”.
Mbi 90 pjesëtarë të forcave të KFOR-it u plagosën me 29 maj në sulmin e protestuesve serbë që po kundërshtonin dërgimin e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave veriore, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç dhe Mitrovicë e Veriut, pas zgjedhjeve të 23 prillit të vitit 2023, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Deri tani dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me trazirat e dhunshme të 29 majit të vitit të kaluar, por një pjesë e tyre po mbrohen në gjendje të lirë.
Në qershor një gjykatë në Prishtinë dënoi me 15 muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh një pjesëtar të komunitetit serb për përfshirje në atë sulm.
Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës për shkak të tensioneve në veri, ndërsa i kërkoi plotësimin e disa kushteve për heqjen e tyre.
Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi në muajin prill, për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.