Al-Khelaifi: Blanc qëndron te PSG

Suksesi 2-1 ndaj Lille në finalen e Kupës së Ligës, solli në shtëpinë e Paris Saint Germain, trofeun e dytë gjatë këtij sezoni teksa deri në fund ekipi nga Parc Des Princes, ka për të luajtur edhe finalen e Kupës së Francës ndaj Olympique Marseille. Por ai triumf i treti radhazi në këtë kompeticion më shumë sesa për futbollistët e skuadrës pariziene ishte i rëndësishëm për trajnerin Laurent Blanc, i cili pas këtij suksesi me shumë gjasa do të qëndrojë në stolin e kampionëve të Francës edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Ishte vetë presidenti i klubit parizien, Naser Al Khelaiffi, i cili në një intervistë për mediat në përfundim të ndeshjes ndaj Lille bëri të ditur se, trajneri Blanc nuk do të largohet nga kryqyteti francez.
Sëfundmi ishte folur shumë në media për një lamtumirë të mundshme të tenikut francez me Jose Mourinhon, që shihej si zëvendësi i mundshëm i Blanc në stolin e Paris Saint Germain, por sipas Al Khelaiffit, diçka të tillë nuk do të ndodhë, pasi ai dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë shumë të kënaqur me punën e Blanc gjatë këtyre viteve. Numri 1 i Parisit shtoi se, Blanc e ka rinovuar edhe për dy vite të tjera kontratën e tij me klubin dhe normalisht, që ai do të qëndrojë te kampionët e Francës.

Exit mobile version