Interi gjen fitoren ndaj Udinezes

Për herë të fundit Interi kishte “shijuar” në shtëpi një fitore kundër Udinezes pesë vite e gjysmë më parë. Edhe dje zikaltërit e nisën keq ndeshjen, duke kaluar edhe në disavantazh të një supergoli, por falë Jovetiç dhe Eder gjithçka shkoi siç duhet. Suksesi përballë Udinezes u lejoi zikaltërve që të “blindojnë” vendin e katërt (Fiore është pesë pikë larg) dhe të shikojnë vendin e katërt (Roma ka 4 pikë më shumë).
Ishin 6 brazilianë, 4 francezë (njëri me pasaportën maliane), 2 kolumbianë, një slloven, një japonez, një kroat, një malazez, një argjentinas, një grek, një zviceran, një portugez, një serb dhe një ganez.
Nuk është një barsoletë, por është një rekord. Ishte thjesht Inter-Udineze ku në fushë, për herë të parë në historinë e kampionatit italian, zbritën dy formacione pa asnjë italian në formacionin titullar. Në pesë kampionatet e mëdhenj të kontinentit, vetëm në Angli ka ndodhur që dy formacione të mos rreshtonin nga fillimi asnjë anglez. Flasim për takimin mes Portsmuthit dhe Arsenalit të 2009-ës.
Nëntë minutat e para të lojës ishin të shëmtuara për Interin që i lejoi Udinezes të bënte gjithçka në “Meazza”. Për pak çaste të pranishmit menduan se do të asistonin në një tjetër mbrëmje ku qielli do të ishte më shumë i zi sesa i kaltër. Badu harkoi topin nga thellësia dhe Tero me një prekje magjike nuk u mendua dy herë për të shënuar golin e vitit me topin që nuk preku tokën që prej krosit të afrikanit.
Vendasit nisën që të luanin vetëm pas minutës të 16-të. Jovetiç asistoi mirë Kondogbian që me të majtën provoi reflekset e Karnezisit. Edhe pas këtij episodi, Interi vazhdoi të ishte i ndrojtur dhe të sulmonte keq Udinezen që me kalimin e kohës filloi t’i besonte fitores. Në të 35-ën vërshëllimat e publikut vendas (përveç ultrasve të “Curva Nord”-it) zgjuan malazezin, i cili në ato çaste çoi dëm një aksion të mirë.
Për të normalizuar Interin, u desh një event special. Ikardi bëri Jovetiçin, ndërsa malazezi interpretoi argjentinasin. Pak minuta përpara se të mbaronte pjesa e parë, Ikardi në të djathtë futi topin në qendër. Sfera kaloi tërë pasqyrën e portës të ekipit friulan derisa gjeti këmbën e Jovetiçit që e depozitoi në rrjetë.
Malazezi ishte në formë dhe këtë e tregoi edhe në pjesën e dytë kur shënoi një gol të bukur me gjoks falë harkimit të Biabianisë. Në fund, Manço aktivizoi edhe Ederin, i cili në një zbritje perfekte u zhbllokua nga ngërçi psikologjik që e kishte zënë, duke shënuar golin e parë me fanellën zikaltër. Ky gol “vulosi” fatet e një takimi që ishte shumë i rëndësishëm për vendasit, të cilët nuk mundnin Udinezen në “Meazza” që prej shtatorit të 2010-ës.

Exit mobile version